
Gazetarja Anila Hoxha ka zbardhur detaje nga seanca e djeshme e dhënies së masës ndaj Erion Veliajt, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa dhe gjashtë biznesmenëve.
Gazetarja Hoxha tha se seanca maratonë u karakterizua nga tensione të forta, ku shpesh herë Veliaj i thoshte prokurorit Ols Dado se ai “e kishte personale”.
Veliaj pretendoi se hetuesit kishin përndjekur gruan e tij, teksa i përmendi Dados edhe faktin se kishte kërkuar leje ndërtimi.
“Ka patur një përplasje midis tyre me akuza, ku Erion Veliaj i ka kujtuar Ols Dados…me nota të forta ka qenë i kësaj natyre, që i ka thënë “e keni personale me mua”. Veliaj u shpreh se bashkëshortja e tij ishte përndjekur.
Këto kanë qenë pretendime të vazhdueshme të Veliajt. Ka patur procese të gjata, masa sigurie për Berishën ka zgjatur tre ditë sepse Berisha nuk paraqitej, por kjo ishte një seancë maratonë.
Gjyqtari rendit arsyet se përse së pari kërkoi dhe vendosi arrest me burg. Mund të ndikojë tek ushtrimi i detyrës edhe për krimet të tjera. Dhe më kryesorja është fakti se në një rast, se mund të intimidoheshin edhe dëshmitarë të tjerë, duke kujtuar rastin e deputetes socialiste dhe Ajola Xoxës, ku një dëshmitareje i është marrë telefoni dhe i është zëvendësuar me një tjetër”, u shpreh gazetarja Hoxha ndër të tjera. /korrieri