
Kryeministri Rama reagoi për herë të parë pas arrestimit të Kryebashkiakut Veliaj nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ditën e djeshme, 10 shkurt 2025.
Për më shumë se 55 minuta Rama bëri të ditur në kamerën e celularit të tij dhe shumë larg gazetarëve, se i ka ardhur fundi kohës ku ai nuk do të komentojë veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
Sipas tij, procesi i mbajtur ndaj Kryebashkiakut Veliaj është i çuditshëm duke e lënë kryeqytetin “pa kokë” ndërkohë që nuk është bërë gjyqi për Veliaj, i cili prej ditës së djeshme qëndron në Bllokun e Sigurisë në rrugën “Mine Peza” dhe nesër, 12 shkurt, së bashku me bashkëshorten e tij, Arjola Xoxe do të dalë përpara trupës së Gjykatës së Posaçme për rivlerësimin e masës së sigurisë.
Ai e quajti hetimin ndaj Veliajt si “pjellë të një novele anonime” ndërkohë që sulmoi drejtuesin e SPAK duke thënë se gjatë kohës kur vendi nuk kishte një prokurori të Posaçme Dumani nuk bëri asgjë për dosjen e “21 Janarit”.
Kryeministri Edi Rama lajmëroi ditën e djeshme mbajtjen e takimit të drejtpërdrejtë, që e cilëson si rubrika “Sy m’sy”, me ndjekësit në rrjetet sociale rreth qëndrimit të tij për arrestimin e Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, me urdhër nga Gjykata e Posaçme.
Kryeministri zgjodhi të “bashkëbisedonte” përballë ekranit për plotë 55 minuta dhe 42 sekonda, gjatë të cilave nuk munguan as momentet e tensionit teksa godiste tavolinën për shkak të problemeve teknike, e as kritikat rreth mënyrave se si është zhvilluar procesi i Veliajt nga SPAK.
Rama deklaroi se ka mbyllur fazën ku nuk komentonte asgjë nga veprimtaria e SPAK, pasi sipas tij, në punën e SPAK ka probleme që nuk shkojnë.
“Në punën e SPAK-ut ka probleme që nuk shkojnë… e konsideroj të mbyllur fazën ‘no comment’. Ne do të ndërtojmë një qëndrim konstruktiv, do të bëjmë sa më shumë që jemi në gjendje për gjërat që nuk funksionojnë siç duhet,” – tha Kryeministri ndërkohë që e krahasoi zhvillimin e procesit të Erjon Veliajt me veprat e letërsisë absurde të Franc Kafkës.
“Rastin e Erionit e kam ndjekur për një sërë arsyesh që do të duhen kohë për të shpjeguar. Ajo që më ka shqetësuar shumë seriozisht e më ka nxitur të bëhem i vëmendshëm ka qenë intimidimi, intimidimi i disa personave të marrë në pyetje. Njerëz të artit e kulturës që u gjendën krejt pafajësisht në situata të denja vetëm për letërsinë e Franc Kafkës”, – u shpreh Rama ndërsa shtoi se vendimi i gjykatës ka hequr kokën nga shpatullat e Bashkisë Tiranë si pasojë e një procesi hetimor të çuditshëm pa gjyq.
“Do të mundohemi të krijojmë opinion të konsoliduar për të cilën gjykatësi ka firmosur t’ia heqë kokën nga shpatullat Bashkisë së Tiranës. Duke e lënë pa drejtim një kryeqytet me 1 mijë e 1 punë në ditë pa gjyq. Këtu bëhet fjalë për një proces hetimor të çuditshëm. I nisur nga një novelë anonime, që ka pjellë një roman me 400 faqe ku autorët e veshur me pushtetin e drejtësisë kanë arritur në pikën që dhe një nënë të një fëmije 6 vjeç ta dënojnë me arrest shtëpie pasi babain e kanë çuar në paraburgim,” – tha Kryeministri ndërkohë që ka komentuar si “llum që qarkullon” faktin se në dosjen e SPAK Veliajt i kërkohet llogari për shtëpinë e vjehrrit të tij, të blerë në kohën kur ai nuk kishte pushtet.
Rama deklaroi se është vullneti i Partisë Socialiste për të luftuar korrupsionin, duke sjellur si shembull se kur Altin Dumani ishte një prokuror i dosjes së “21 Janarit” nuk ka bërë asgjë.
“Altin Dumani, që është drejtues i SPAK, e ka pasur ‘21 Janarin’ në tavolinë dhe më parë kur ka qenë në prokurori të zakonshme, ka qenë prokuror i ‘21 Janarit’. Ka pasur mundësi të luftojë dhe atëherë korrupsionin,” – tha Rama përballë ndjekësve të tij në Facebook, të cilët sipas një hulumtimi të realizuar nga ACQJ numri i komentuesve dhe ndjekësve të rremë është i lartë.
Por pavarësisht audiencës që Kryeministri ka në Facebook, pretendimet e deklaruara nga Kryeministri se procesi ndaj Veliajt “është i çuditshëm” nuk është i vetmi sulm që SPAK ka marrë nga politikanët shqiptarë.
Altin Dumani, drejtuesi i SPAK është akuzuar edhe nga deputetet opozitarë se puna e SPAK është joprofesionale, apo më keq, e kontrolluar nga Qeveria, kreu i së cilës pas arrestimit të Erion Veliajt i dha fund periudhës që “nuk do të komentojë“ veprimet e SPAK.
Raporti vjetor i SPAK-ut tregon se përgjatë për tre vite janë regjistruar 708 procedime me 575 persona nën hetim “në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Nga këto, 447 çështje me 212 persona nën hetim janë regjistruar për veprën penale të “korrupsionit”. /korrieri