Forcat RENEA kanë ushtruar kontrolle në banesën e Ervis Lamit, i cili është shpallur në kërkim pas vrasjes së postierit Lulzim Visha në Zall Mner në Kamëz.
Por njejtë si në kontrollin e parë, Lami nuk është gjetur në banesën e tij. Sipas të dhënave të sistemit TIMS ai ndodhet ende në territorin e Shqipërisë, por ekzistojnë dyshimet se mund të jetë larguar ilegalisht në vende të tjera nga Kosova.
Zyrtarisht ndaj tij nuk është ngritur akuzë për vrasje, por Lami është shpallur në kërkim për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”.
Në kontrollin e parë të kryer nga Policia, Lami nuk ka qenë në banesë, por djali i xhaxhait i tij Eduart Lami ka hapur derën.
Në banesën e Ervis Lamit u gjet një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, dhe një këllëf pistolete glok.
Për armët e gjetura në banesë, Policia arrestoi 37-vjeçarin Eduart Lami, pasi banesa përdorej nga të dy.
Lulzim Visha u gjet pa shenja jete brenda automjetit në në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner.
Autorët dyshohet se e nxorën në pritë dhe e qëlluan me pistoletë me silenciator. 48-vjeçari ishte brenda makinës së punës në momentin që u qëllua me armë. Ai punonte si postier në ‘Postman’./korrieri