Foleja “sekrete”, Ajola Xoxa kërkon zhbllokimin e provave që SPAK sekuestroi te apartamenti i Mirton Likës në Sky Tower
Ajola Xoxa nuk i ndahet prokurorisë së posacme ku kësaj radhe ka ankimuar kontrollin e bërë me 14 janar në një ambient të Sky Tower, në pronësi të Mirton Likës. Korrieri raportoi gjerësisht disa ditë më pare4 në lidhje me këtë biznesmen me lidhje me Veliaj dhe inceneratorët.
Kërkesa e kundërshtimit të kontrolleve është dorëzuar në GJKKO.
Siç mëson Korrieri, Xoxa kundërshton vendimin e sekuestros.
Agjentët e byrosë kombëtare të hetimit mësyen në apartamentin 11/4 ku u sekuestruan sende me vlerë për hetimin si dokumenta por edhe materiale të tjera elektronike.
Kontrollet nisen me 14 janar fill pas miratimit të vendimit të gjykatës dhe përfunduan pas më shumë se 4 orësh.
Në SPAK për të dhënë shpjegime për hetimin e Erjon Veliajt kanë qenë Ajola Xoxa bashkëshortja e tij, Elman Abule bashkëpuntori i tij më i ngushtë dhe bashkëshortja e Abulës, Marisa Nito.
Hetimi ndaj kryebashkiakut Veliaj po ndiqet nga dy prokuror Altin Dumani dhe Ols Dado e ndërsa më herët SPAK ka njoftuar se subjekti po hetohet për 4 vepra penale konkretisht korrupsion pasiv dhe aktiv, pastrim parash dhe fsheje pasurie.
Kush është Mirton Lika
Nga hetimet e SPAK, biznesmeni në fjalë del aksioner në disa kompani.
Por kjo nuk është hera e parë që emri i tij del në hetimet e zyrtarëve të lartë. Kujtojmë se Mirton Lika përmendet edhe në dosjen e SPAK për dy pronarët “de fakto” të inceneratorit të Tiranës, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Zoto-Mërtiri, atë kohë, u vunë në përgjim telefonik dy ditë pasi ishte mbyllur pagesa për Elbasanin, ndërsa hetimet fillestare ndaj tyre nisën direkt me interceptimin e telefonave. Por dy kokat e inceneratorit ishin vënë në dijeni të çështjes penale të nisur në Prokurorinë e Elbasanit dhe, sipas SPAK, ata udhëzonin Mirton Likën, pronarin e Sky Hotelsnë Tiranë, të marrë masa për zhdukjen e gjurmëve dhe kapjen e ndonjë prove të mundshme nga prokuroria.
Në dosjen e prokurorisë SPAK thuhet se:
“Referuar transkriptimeve të përgjimeve telefonike, rezulton se Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, më 8 shtator 2017, kanë ardhur në dijeni për procedimin penal të regjistruar nga Prokuroria Elbasan, pasi kanë mësuar ndërkohë në lidhje me sekuestron e vendosur nga kjo prokurori. Dhe personi që është identifikuar si Agron Ceka, shofer personal i familjes Ahmetaj, i përgjigjet t’i bëjë të fala shefit. Po në këtë datë, Klodian Zoto komunikon me Mirton Likën duke i kërkuar që për nja një orë t’i fikin kamerat te kati i tyre dhe Mirtoni, në vijim, i komunikon se për 5 minuta hiqen fishat e katit të 13 deri nesër në mëngjes…”.
Përmendja e të njëjtit person në dosjen e dy personave kyç të inceneratorëve që tashmë janë shpallur në kërkim dhe tani në hetimet për kryebashkiakun, të bën të dyshosh se mund të jetë nyja lidhëse e përfshirjes së Veliajt në aferën e inceneratorit të Tiranës. Por, përderisa Prokuroria e Posaçme nuk është shprehur për një gjë të tillë, ndodhemi ende në kontekstin e dyshimeve.
SPAK aktualisht është duke hetuar për lidhje të mundshme dhe konflikt interesi mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, me biznesmenin Lika dhe arsyet pse Ajola Xoxa ka shfrytëzuar apartamentin 11/4 në Sky Tower, aty ku ndodhen edhe zyrat e kompanisë së saj “Harabel”. Veliaj po hetohet për katër vepra penale, si pastrimi i parave dhe korrupsioni. /korrieri