Erion Vocrri dhe Rivaldo Zmijanej (Planaj) janë shpallur në kërkim si autorët e sulmit që terrorizoi banorët e fshatit Gruemirë në Malësi të Madhe. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në fshatin Gruemirë dy të rinjtë, të moshës 22 dhe 27 vjeç kishin shkuar për të vjedhur, por u pikasën nga disa banorë të fshatit, konkretisht nga Mirsad, Edison dhe Besim Kurtaj. Në këtë moment të dy palët kanë debatuar dhe grabitësit kanë vendosur që të tërhiqen… por jo pa lënë një shenjë pas. Autorët qëlluan fillimisht mbi kamerat e sigurisë së familjes Kurtaj.
Në këtë moment, tre personat e familjes Kurtaj kanë tentuar t’i ndalin, por dy të rinjtë kanë vijuar rrugën.
Gjatë ndjekjes që ka zgjatur jo më shumë se 10 minuta, Planaj dhe Vocrri kanë të qëlluar me automatik kallashnikov rreth 100 plumba. Por fatmirësisht pa lënë pas viktima apo persona të lënduar. Edhe pse ishin të maskuar, autorët janë kapur nga kamerat e tjera të sigurisë në zonë dhe kështu janë identifikuar. Rivaldo Zmijanej Planaj është nip i “Kumbarit”, Bardhok Planaj, i cili u ekzekutua me armë zjarri në vitin 2021 në Shkodër, ndërsa Vocrri nuk është emër i njohur për uniformat blu.
Prej mbrëmjes së djeshme, Policia ka nisur hetimet dhe është vënë në ndjekje të autorëve, ndërkohë që tre vëllezërit Kurtaj, në deklaratën e tyre, thanë se nuk kanë mundur që të identifikojnë sulmuesit. /korrieri