Arrestohet Ariel Rraja, nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja dhe djali i Flamur Rrajës, i cili theu masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ai ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Policia ka shkuar për të kontrolluar nëse ndodhej në banesë në zbatim të masës së sigurisë të caktuar ndaj tij, por nuk e kanë gjetur. Ndërkohë është proceduar penalisht edhe babai i tij, Flamur Rraja, si edhe 26-vjeçari me iniciale E.T., pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë ndalimit të 24-vjeçarit, dhe nuk iu janë bindur urdhrit të tyre, për shoqërimin në komisariat.
Ariel Rraja është shpallur në kërkim edhe për dhunën që së bashku me babain e tij ushtroi ndaj Kujtim Cacës. Ngjarja ka ndodhur në tetor të 2024, pas një konflikti mes Flamur Rrajës dhe Kujtim Cacës. Shkak i sherrit mes familjes Rraja dhe Caca është bërë një pronë, më saktë, një kanal ndarës mes dy pronave.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim A. Rr., 24 vjeç, të cilit Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Në vijim të veprimeve për këtë rast, janë proceduar penalisht shtetasit F. Rr., 56 vjeç dhe E. T., 26 vjeç, pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë ndalimit të 24-vjeçarit, dhe nuk iu janë bindur urdhrit të tyre, për shoqërimin në komisariat. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Ariel Rraja, 23 vjeç, nga Nikla e Krujës, është prangosur më herët nga policia pasi i janë gjetur në automjet kokainë dhe shuma parash. Ndërsa babai i tij Flamur Rraja ishte protagonist në dhunën ndaj dy vëllezërve Bilbil dhe Jashar Maja, ngjarje që çoi dhe në tërheqjen e Rrahman Rrajës nga politika. /korrieri