Djalli nuk futet më në shishe, por në Mat e vrasin me kaçavidë.
Një rast i pazakontë ka ndodhur në Mat ku një 48-vjeçar ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike në mënyrë të përsëritur ndaj bashkëjetueses së saj, por historia nuk mbaron me kaq.
48-vjeçari, për të justifikuar dhunën ndaj bashkëjetueses, kishte paguar një person nga Kosova, për ta shëruar, pasi pretendonte se gruas së tij i kishin bërë magji.
Por sikurse duket në pamjet e sjella nga policia e Matit, personi që supozohet se i heq asaj magjinë, e godet atë me kaçavidë në disa pjesë të trupit.
36-vjeçari, i cili vinte nga Kosova në banesën e 48-vjeçarit, për të “shëruar” 33- vjeçaren po ndiqet penalisht për mashtrim.
Ndërsa, D. B., 48 vjeç, banues në Burrel, ( i dënuar më parë për kanosje dhe kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë) është arrestuar në kushtet e flagrancës.
Gjatë kontrollit në banesën e 48-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan 380 copë fishekë luftarak.
33-vjeçarja, si pasojë e dhunës është dërguar nga familjarët e saj për trajtim mjekësor dhe në spitalin psikiatrik, Tiranë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas informacioneve të siguruara për një shtetas që ushtronte dhunë psikologjike dhe fizike në mënyrë të përsëritur ndaj bashkëjetueses së tij, si dhe mbante armë zjarri apo municion luftarak në banesë, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë ndërhyrjes së menjëherëshme është bërë parandalimi i një ngjarje të mundshme kriminale në familje.
Si rezultat, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. B., 48 vjeç, banues në Burrel, ( i dënuar më parë për kanosje dhe kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë).
Nga hetimet e kryera, mbështetur dhe në inteligjencë informative ka rezultuar se 33-vjeçarja, si pasojë e dhunës është dërguar nga familjarët e saj për trajtim mjekësor dhe në spitalin psikiatrik, Tiranë.
Po në vijim te hetimeve të thelluara për këtë rast, ka rezultuar se 48-vjeçari, për të justifikuar dhunën ndaj bashkëjetueses së tij, pretendonte se 33- vjeçares i kishin bërë magji dhe kishte paguar shtetasin K.P., 37 vjeç, banues në Kosovë, i cili vinte në banesën e shtetasit D.B., për të shëruar 33- vjeçaren”, bën me dije Policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme procedurale.