
Ka nisur gjykimi për dosjen “Metamorfoza”! Pas një kalvari të gjatë gjykimi mbi të dhënat e grumbulluara nga aplikacioni “SkyECC”, dosja tashmë po gjykohet si normalisht në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Seanca e sotme ka nisur me debate. Behar Bajri, para se të niste dëshminë e tij ka bërë një kërkesë për trupën gjykuese që në sallë të mos kishte gazetarë.
“Nuk i dua gazetarët në seancë sepse më kanë paragjykuar në televizione,“-është shprehur ai.
Kërkesa e tij është rrëzuar nga trupa gjykuese me arsyetimin se nuk ka kushte ligjore për të zhvilluar procesin gjyqësor me dyer të mbyllura. Por megjithatë seanca u shty për shkak se munguan disa të pandehur dhe 2 avokatë. Në seancë munguan të pandehurit Pëllumb Gjoka, Asmer Bilali dhe Xhevahir Lita, ndërsa të pranishëm ishin Behar Bajri, Edmond Preka, Ardit Hasanbegaj dhe Oltion Bistri. Në radhët e avokatëve, për shkak të një fatkeqësie familjare, avokatja e Edmond Prekës nuk ishte e pranishme; ndërsa për arsye shëndetësore në seancë nuk ishte as mbrojtësi ligjor i Ardit Hasanbegajt.
Për shkak të mungesave, trupa gjykuese e përbërë nga Flora Hajredinaj, Irena Gjoka dhe Etleva Deda vendosi shtyrjen e seancës për më 30 janar, ora 14.00.
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për një pjesë të anëtarëve të dosjes Metamorfoza, ku personat e dyshuar janë arrestuar pas bisedave në aplikacionet e koduara. Mësohet se akuzat u janë komunikuar deri tani Behar Bajrit dhe Pëllumb Gjokës, ndërsa për disa prej të dyshuarve ka rënë akuza kryesore e grupit të strukturuar kriminal. Ish-shefit të policisë operacionale, Oltion Bistrit, i është hequr akuza e shpërdorimit të detyrës, dhe është akuzuar vetëm për “korrupsion”. Por edhe për ish-prokurorin Xhevahir Lita është zbutur akuza, i cili tashmë nuk do të hetohet zyrtarisht për akuzën e grupit kriminal. Ish-zyrtari i drejtësisë do të përballet me gjykatën për akuzën e akuzat e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit hetimor. Vetë Lita ka pranuar para hetuesve se ka qenë përdorues i aplikacionit SKY ECC.
Hetimet e Metamorfozës kulmuan pas përcjelljes së letërporosisë nga autoritetet franceze, ku rezultoi se në dhjetra biseda, Bajri komunikonte me të zhdukurin me Ervis Martinaj për vrasjen e Gjon Boriçit. Kjo dosje është veçuar nga ana e SPAK, sa kohë që Martinaj prej afro dy vitesh rezulton një person i zhdukur. Në përgjime rezultonte gjithashtu se Martinaj garantonte se do të eliminonte Kleanth Musabelliun për interes të Pëllumb Gjokës. Bisedat dhe provat e mbledhura nga hetimi tregojnë se Astmer Bilali me bashkëpunëtorët e tjerë tentuan dhe siguruan kushte për të vrarë Dorjan Dulin, Ibrahim Licin dhe Genc Tafilin, atentate që dështuan.
Por seancat për këtë dosje ishin shtyrë për shkak se një prej të pandehurve, biznesmeni Pëllumb Gjoka, ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vërtetësinë e mesazheve që janë nxjerrë nga aplikacioni i enkriptuar “SkyECC”. Pasi mori parasysh pretendimet e Gjokës, Kushtetuesja vendosi rrëzimin e kërkesës të së pandehurit. /korrieri