Është arrestuar në Francë Behar Bajri, i akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që operonte kryesisht në veri të vendit.
Mësohet se Bajri është prangosur gjatë një operacioni nga policia franceze të organizuar në bashkëpunim me palën shqiptare.
Bajri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, në kuadër të operacionit të koduar “Metamorfoza” që çoi në pranga biznesmenin e njohur Pëllumb Gjoka dhe drejtuesin e lartë të Policisë së Shtetit, Oltian Bistri.
Bajri, së bashku me 8 persona të tjerë akuzohet se në kuadër të grupit të strukturuar kriminal kanë porositur si dhe realizuar një sërë ekzekutimesh dhe atentatesh mafioze kundrejt grupeve rivale.
Ngjarjet e rënda kriminale dhe komunikimet mes tyre u zbuluan nga çkodimi i aplikacionit “Sky”.
Sakaq, Interpol Tirana ka dhënë informacion zyrtar për arrestimin e Bajrit me qëllim ekstradimi në Shqipëri:
Vijon operacioni policor i koduar “Metamorfoza”.
Operacioni, falë shkëmbimit të inteligjencës policore, ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë franceze.
Kapet në Francë, me qëllim ekstradimin, njëri prej shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Në vijim të punës gjurmuese dhe kërkimore, si dhe bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, mesditën e sotme, falë inteligjencës policore të siguruar nga Policia e Shtetit, shkëmbimit në kohë reale të informacionit, nëpërmjet oficerëve të kontaktit të Policisë së Shtetit dhe Policisë Franceze, si dhe koordinimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Parisit, u bë e mundur kapja në Francë, nga Policia franceze, e shtetasit shqiptar B. B., 43 vjeç.
Kapja e këtij shtetasi u bë me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me Interpol Parisin, vijojnë punën për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, të 43-vjeçarit.
Kapja e këtij shtetasi tregoi edhe një herë bashkëpunimin serioz, profesional dhe të besueshëm mes Policisë së Shtetit dhe partnerëve, si dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit, për të gjurmuar, lokalizuar, kapur dhe çuar para drejtësisë, shtetasin e shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.