![](https://gazetakorrieri.com/wp-content/uploads/2025/01/IMG_8874-1024x768.jpeg)
Kristian Marku, i cili u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në autostradën Fier-Vlorë, ka tentuar të shpëtojë pas sulmit me armë që i mori jetën.
Burime të Korrieri bëjnë me dije se pas të shtënave në drejtim të tij, Marku ka arritur të vazhdojë lëvizjen me automjetin e tij për rreth 2 kilometra, përpara se plumbat e marra të rezultonin fatale.
Në fotot e siguruara nga automjeti i viktimës, një Volkswagen, duken qartë shenjat e plumbave në pjesë të ndryshme të karrocerisë.
Përveç tyre, vihen re edhe gërvishtje, që sipas ekspertëve mund të jenë shkaktuar nga përpjekja e 30-vjeçarit për të shmangur sulmin apo për të ruajtur kontrollin e automjetit gjatë largimit të tij të dëshpëruar.
Marku nuk arriti të mbijetonte, pasi plumbat e sulmit ishin fatalë.
Policia ka nisur një hetim intensiv për të zbardhur ngjarjen dhe për të identifikuar autorët, ndërsa po analizohen provat e mbledhura në vendin e ngjarjes dhe përgjatë rrugës ku është gjetur automjeti. Në fokus janë edhe kamerat e sigurisë në aksin Fier-Vlorë për të rindërtuar momentet e sulmit dhe lëvizjet e viktimës.
Kristian Marku ishte një emër i njohur për autoritetet, me dyshime të mëparshme për përfshirje në ngjarje kriminale. Megjithatë, ende nuk dihen motivet e sakta të këtij ekzekutimi të rëndë, ndërsa pista e një hakmarrjeje apo konflikti i mëparshëm mbetet një ndër drejtimet kryesore të hetimeve./korrieri