Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme kryeqytetin, ku një 56-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri pranë zonës së njohur si “Pallati me Shigjeta” në Tiranë.
Sipas burimeve të “Gazeta Korrieri” viktima është identifikuar si Bujar Nasufi, i cili u qëllua për vdekje teksa udhëtonte me automjetin e tij.
Autorët, ende të paidentifikuar, kanë qëlluar ndaj tij dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia ka marrë njoftimin përmes një telefonate në sallën operative dhe ka mbërritur menjëherë në vendngjarje.
Grupet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, janë duke punuar intensivisht për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët e mundshëm.
Në një njoftim zyrtar, Policia deklaroi se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:40, në rrugën “Myrte Zeneli”. Për momentin, janë ngritur pika kontrolli dhe po kryhen kërkime në zonë për të kapur autorët e dyshuar.
Hetimet vijojnë dhe autoritetet do të bëjnë të ditur më shumë detaje pas përfundimit të veprimeve hetimore paraprake./korrieri