
Një situatë shqetësuese është raportuar nga një grup prej mbi 60 pasagjerësh shqiptarë, të cilëve u është anuluar fluturimi nga Stambolli drejt Tiranës me kompaninë Turkish Airlines.

Pasagjerët, të cilët janë tranzit, kanë mbetur të bllokuar për më shumë se 12 orë në aeroport, duke mos marrë asnjë zgjidhje konkrete nga autoritetet përkatëse.
Sipas denoncimit të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, pas anulimit të fluturimit, kompania Air Albania dhe Turkish Airlines po ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës, duke lënë pasagjerët pa asnjë mbështetje. Për më tepër, raportohet se as hotel, as ushqim dhe as bileta për fluturime të tjera nuk u janë ofruar.
Në mesin e pasagjerëve ndodhet një person i sëmurë, i sapo i dalë nga spitali, si dhe një grua që ka humbur ndjenjat. Gjendja ka shkaktuar indinjatë të thellë dhe zemërim tek udhëtarët, të cilët ndihen të trajtuar “si bagëti”.
Kjo situatë thekson sërish problemet e përsëritura me menaxhimin e fluturimeve dhe trajtimin e udhëtarëve nga kompanitë ajrore, të cilat duket se nuk marrin përgjegjësinë për pasojat e vonesave dhe anulimeve.