Kryedemokrati Lulzim Basha mes duartrokitjeve u ka kërkuar falje të gjithë demokratëve duke iu premtuar se do të nisë një rrugë e re. Nga Kuvendi Kombëtar i PD-së, Basha tha se qëllimi i selisë blu është ofrimi i zgjidhjeve ndaj shqiptarëve.
Këtë Kuvend Kombëtar të thirrur prej tij ai e konsideron nisjen e një rruge të re për Partinë Demokratike.
Basha u ndal dhe tek përçarja në PD, duke u kërkuar ndjesë të thellë demokratëve e shqiptarëve në tërësi që sipas tij opozita i la në mëshirë të një qeverie të korruptuar.
“Bashkatdhetarët tanë e kanë humbur shpresën. Ata kthyen sytë nga qeveria por nuk shohin shpresë. Unë e di që i kthyen sytë nga ne, dhe pritën të bëheshim zëri i tyre. Por ne luftuam njëri-tjetrin në vend që të luftonim për njerezit. Për ju. Ne luftuam për mure dhe godina, në vend që të luftonim për shtëpitë e boshatisura të shqiptarëve. Për shtëpitë tuaja.
Në luftuam për karrige dhe zyra, në vend që të luftonim për vende pune për të rinjtë dhe të rejat tona. Për mirëqenien tuaj. Ne ju lamë në mëshirën e një qeverie që i keqtrajton demokratët, i demotivon të rinjtë, i përçmon shqiptarët. Në mëshirën e një qeverie që ju abuzon përditë.
Do ishte e lehtë të bëja atë që bëjnë të tjerët prej vitesh, të hidhja fajin diku tjetër, të fajësoja këdo. Por kjo do të ishte hipokrizi. Do të ishte shtirje.
Nuk kam ardhur sot të shtirem para demokratëve. Sot, unë ju kërkoj ndjesë të thellë demokratëve, dhe në emër të demokratëve, në emër të Partisë Demokratike i kërkoj ndjesë shqiptarëve. Arsyeja pse jemi këtu bashkë, arsyeja pse ekzistojmë si forcë politike është që t’ju shërbejmë njerëzve, jo vetes tonë! Qëllimi pse ekzistojmë është që t’ju ofrojmë shqiptarëve alternativë për qeverisjen e tyre, zgjidhje për problemet e tyre, rrugëdalje për hallet e tyre, vizion për të ardhmen e tyre. Dhe këto do të jenë udhërrëfyes i rrugës së re që nisim bashkë sot. Arsyeja pse jemi këtu bashkë, arsyeja pse ekzistojmë si forcë politike është që t’ju shërbejmë njerëzve, jo vetes tonë! Qëllimi pse ekzistojmë është që t’ju ofrojmë shqiptarëve alternativë për qeverisjen e tyre, zgjidhje për problemet e tyre, rrugëdalje për hallet e tyre, vizion për të ardhmen e tyre. Dhe këto do të jenë udhërrëfyes i rrugës së re që nisim bashkë sot”, deklaroi Basha.
Pasi u kërkoi ndjesë shqiptarëve në emër të PD-së për situatën e krijuar në radhët e demokratëve, Lulzim Basha deklaroi se gjithçka i ka mbetur së shkuarës.
Sipas Bashës, PD-në e pret një rrugë e re si forcë politike, por edhe në rolin e saj për ta ndryshuar Shqipërinë.
“Sot në këtë sallë dhe jashtë saj, shumë nga ne kanë akoma me vete shenjat e plagëve nga kjo luftë e brendshme e shëmtuar! Por që sot e tutje ne duhet ta lëmë pas këtë konflikt, t’ia lëmë atë të shkuarës dhe autorëve të librave të historisë. Arsyeja pse ne qëndruam dhe sot jemi mbledhur për të nisur bashkë një rrugë të re, janë njerëzit, janë shqiptarët që presin nga ne, janë të rinjtë e papunë dhe ata që duan një vizion për të ardhmen, janë familjet e reja që duan të dëgjojnë nga ne se Shqipëria do të bëhet më mirë!Sepse nuk ka asnjë emër të përveçëm që të dalë përpara interesit tonë kombëtar! Sepse duke parafrazuar një nga mendjet tona më të ndritura, Sami Frashërin: Shqipëria ka qenë, Shqipëria është dhe Shqipëria do të bëhet! Sado e vështirë të duket rruga jonë e re sot, ne atë do ta përshkojmë së bashku deri në fund, sepse Shqipëria do të bëhet! Sado pengesa të na hedhin dhe ferra të na ngatërrohen nëpër këmbë, ne do të qëndrojmë e do të vazhdojmë pa asnjë mëdyshje rrugëtimin tonë sepse Shqipëria do të bëhet! Sado e kalbur t’ju duket politika të rinjve, ajo do të ndryshojë me patjetër sepse Shqipëria do të bëhet! Sado të turbullta t’ju duken qiejt dhe ujërat e Trekëndëshit të Bermudës, koha do hapet dhe qielli ynë do kthjellohet sepse Shqipëria do të bëhet!”, tha Basha.