
Nadir Çausholli mashtron sërish, pas CFO Pharma përjashtohet nga tenderët edhe kompania Green Line
pjesë në tendera për 6 muaj, pasi “ka keqinformuar autoritetet për qëllime kualifikimi”.
Kjo është goditja e dytë ndaj shoqërive të biznesmenit Çaushollit brenda pak muajve. Në Korrik të vitit 2024, kompania bazë e tij, “CFO Pharma” u përjashtua po me 6 muaj nga pjesëmarrja në tendera publikë, edhe në atë rast për “keqinformim për qëllime kualifikimi”.

Në gusht të këtij viti, kompania shtetërore e naftës, “Albpetrol” sha, shpall tenderin me objekt “Shërbim për transportin e punonjësve të Shoqërisë (QPN Gorisht + V.B. CakranMollaj)” me fond limit 12.974.917 lekë të reja.
Rezulton se në këtë procedurë kanë marrë pjesë kompania “Green Line” në pronësi të Çaushollit dhe një shoqëri tjetër. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i skualifikon të dy pjesëmarrësit në garë, për mosplotësim kriteresh.
Sipas dokumentave zyrtare, kompania “Green Line” u përjashtua bazuar në nenin 76 të ligjit “Për prokurimet publike”, i cili parashikon ndër të tjera se skualifikohet nga procedura tenderuese “operatori ekonomik ka në cilësinë e … drejtues ose mbikëqyrës i atij, aksionar ose ortak…. persona të cilët janë /kanë qenë në këtë cilësi në një operator ekonomik të përjashtuar nga e drejta për të përfituar fonde publike, me vendim të Agjencisë së Prokurimit Publik, gjatë kohës që ky vendim është në fuqi”.
“Albpetrol” konstatoi se ortaku i shoqërisë pjesëmarrëse në tenderin e saj, “Green Line”, Nadir Çausholli, ishte njëkohësisht edhe ortak i “CFO Pharma”, e cila në të njëjtën kohë ishte e përjashtuar nga pjesëmarrja në tendera me vendim të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP).
Shoqëria “Green Line” nuk ishte dakord me vendim e “Albpetrol-it” për skualifikimin nga tenderi dhe ankohet pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).
Me vendimin nr. 1422/2024, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të mos pranojë ankimin e “Green Line” për skualifikimin nga tenderi.
Në vendim thuhet se autoriteti publik “Albpetrol” ka zbatuar me korrektësi kërkesat e ligjit të Prokurimeve Publike për përjashtimin e “Green Line” nga konkurimi.
Gjithashtu, KPP konstaton se “Green Line”, në dokumentat e dorëzuar pranë këtij institucioni, nuk ka plotësuar saktë formularin, në të cilin kërkohet nga kompanitë ankimuese të vetëdeklarohen se aksionerët apo ortakët e saj nuk kanë të njëjtën cilësi në shoqëri të tjera që janë përjashtuar nga tenderat.
Sipas KPP-së, “ditën e paraqitjes së ankesës pranë autoritetit kontraktor dhe Komisionit të Prokurimit Publik, aksioneri z. Nadir Çausholli, rezulton të jetë aksioner i vetëm edhe tek operatori ekonomik “CFO Pharme” shpk, operator ky i përjashtuar nga e drejta për të fituar kontrata publike”.

Bazuar në këtë situatë, KPP, krahas refuzimit të ankimit, “i propozon Agjencisë së Prokurimit Publik të nisë hetimin administrativ në lidhje me deklarimin e rremë në formularin përmbledhës të vetëdeklarimit të paraqitur nga operatori ekonomik ‘Green Line’”.

Bazuar në këtë propozim, APP kreu verifikimin administrativ dhe, me vendimin nr. 118, dt.18.12.2024, vendosi “përjashtimin e operatorit ‘Green Line’ nga e drejta për të fituar kontrata publike për 6 muaj”.