Masakra e Dobraçit, ku u vranë 4 persona, tashmë është zbardhur dhe pritet që ligji të veprojë! Lajmin e ka bërë me dije ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.
Në një takim me zyrtarët e Policisë së Shtetit në Shkodër, ministri Hoxha tha se ngjarja e Dobraçit është zbardhur dhe shumë shpejt do të ketë lëvizje nga Policia e Shtetit. Por nuk ka bërë me dije detaje të tjera dhe as kohën se kur do të dalë me një njoftim zyrtar Policia e Shtetit.
Forcat RENEA kanë zbarkuar në Shkodër një ditë më parë dhe kanë ushtruar kontroll në banesat e disa prej anëtarëve të fisit Bajri.
Një prej banesave të kontrolluara është ajo e Safet Bajrit dhe nga informacionet që janë bërë me dije deri më tani, raportohet se i janë sekuestruar 19 mijë euro, para që janë gjetur në një arkë kursimi të të bijës.
Po ashtu, gjatë këtij kontrolli në banesën e Safet Bajrit janë gjetur dhe sekuestruar edhe 2 telefona, celulari i tij dhe i bashkëshortes së tij.
Kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e Izmir Sakicës, një nga personat e shpallur në kërkim për masakrën e ndodhur në Dobraç.
Kontrolle janë ushtruar gjithashtu edhe në lagjen Kiras, Rus, Dergut apo edhe fshatrat Shtoj i ri dhe Shtoj i vjetër. Gjatë aksionit janë sekuestruar armë zjarri dhe pesë mjete të blinduara, që nuk dihet ende se në cilën banesë janë gjetur. Ndërkohë disa persona janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë për tu marrë në pyetje në lidhje për masakrën e Dobraçit, ku u ekzekutuan Hamza Lici dhe Arlind Bushati, si dhe mbetën të vrarë çifti i bashkëshortëve, Bashkim dhe Flutura Basha. Armët e sekuestruara do të dërgohen për ekspertizë për të dalë në përfundimin nëse ato janë përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme.
Edhe pse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga SPAK, raportohet se prokurorja Elida Kaçkini ka lëshuar 5 urdhër arreste, por deri më tani nuk është ekzekutuar asnjë prej tyre.
Masakra e Dobraçit ndodhi pasditen e 30 tetorit, kur 4 persona i zunë pritë automjetit në të cilin po udhëtonte Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës dhe një person i tretë që është përfolur të ketë qenë vetë Ibrahim Lici, i cili mendohet se ka qenë dhe shënjestra e atentatit. Megjithatë, kjo e dhënë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Kjo masakër u kushtoi jetën edhe dy kalimtarëve të rastit, Bashkim dhe Flutura Basha, të cilët po ktheheshin nga puna në shtëpi, kur motoçikleta e tyre u përplas nga “Benzi” i Hamza Licit që kishte humbur jetën në timon. Flutura ndërroi jetë në vend, ndërsa Bashkim Basha ndërroi jetë në spital. /korrieri