I mituri që plagosi dje me thikë bashkëmoshatarin e tij është arrestuar nga Policia e Fierit. Mesditën e sotme, Policia e Fierit ka bërë me dije se për ngjarjen që ndodhi dje në shkollën e mesme “Mustafa Hoxha” në Cakran të Fierit kanë vendosur në pranga për “vrasje me dashje” adoleshentin B.Dalani. Sa i përket të plagosurit, Ydo Xhafa, bëhet me dije se ai ndodhet ende në spital, por pa rrezik për jetën.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për një plagosje me mjet prerës (thikë), në shkollën e mesme “Mustafa Hoxha”, Cakran, ku mbeti i plagosur shtetasi i mitur, H. Xh., 17 vjeç, ju informojmë se: Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier arrestuan autorin e dyshuar, shtetasin e mitur, B. D., 17 vjeç, për veprën penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë. Konflikti midis shtetasve të mitur ka nisur pasi shtetasi i dëmtur H. Xh., pretentonte se autori i dyshuar, shtetasi B. D., shpërndante në rrjetet sociale fotografi të tij. Shtetasi H. Xh., aktualisht ndodhet në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën. Mjeti prerës (thikë), u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë që për mediat kanë folur edhe familjarët e të miturit të arrestuar. Më konkretisht, gjyshja e 17-vjeçarit që plagosi shokun në gjimnaz tha se nipi vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe se familjarët kishin në plan që të dërgonin në Greqi për mjekim.
“Dje e kishin thirrur dhe i kishin thënë hajde të shikojmë telefonin. 6 vetë ata, një ky. Ia kishin marrë telefonin. Ai djali që u qëllua e kishte qëlluar me shkelm. Ai ka qenë i sëmurë. E trembte e ëma I thoshte të hëngërt kukuvajka. Ai trembej në gjumë. Ishe sëmurë prej moshës 5-6 vjeç. U pre frika kur piu kokrrat u stabilizua, por një shok shkolle i tha të mos i pinte. Nuk dëgjonte të atin që t’i pinte më. Do e vizitonim në Greqi, por nusja nuk e aprovoi,”-tha gjyshja e të miturit.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e të premtes në fshatin Cakran. Gjatë marrjes në pyetje nga Policia, raportohet se autori ka deklaruar se janë zënë sapo kanë hyrë në oborr të shkollës, pasi kishin debatuar për një postim në rrjetin social Snapchat. Nga ana tjetër, Xhafa tha se sherri nisi 10 minuta para se të fillonte mësimi dhe arsyeja e konfliktit ishte se autori kishte foto të familjarëve të tij, ku shprehej se do i publikonte. Në tentativë për t’i marrë telefonin për t’i fshirë fotot, autori e ka plagosur. /korrieri