
Masakra e Dobraçit, ku u vranë 4 persona, tashmë është e zbardhur dhe pritet që ligji të veprojë! Lajmin e ka bërë me dije ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha. Në një takim me zyrtarët e Policisë së Shtetit në Shkodër, ministri Hoxha tha se ngjarja e Dobraçit është zbardhur dhe shumë shpejt do të ketë lëvizje nga Policia e Shtetit. Por nuk ka bërë me dije detaje të tjera dhe as kohën se kur do të dalë me një njoftim zyrtar Policia e Shtetit.
Kjo deklaratë e ministrit shpjegon edhe aksionin e djeshëm të zhvilluar me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Me kërkesë të SPAK, Forcat RENEA zbarkuan në Shkodër dhe ushtruan kontrolle në lagjen Kiras, Rus, Dergut apo edhe fshatrat Shtoj i ri dhe Shtoj i vjetër. Gjatë aksionit, janë sekuestruar armë zjarri dhe 5 mjete të blinduara. Kontrolle u zhvilluan edhe në banesën e Safet Bajrit, ku u sekuestruan 2 telefona dhe gati 20 mijë euro. Po ashtu, forcat speciale i shkuan në shtëpi edhe Izmir Sakicës, i cili është në kërkim policor për masakrën e Dobraçit, e po ashtu nuk u përjashtua edhe fisi Bilali. Edhe pse aksioni bëri bujë dje në media, SPAK ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me shkakun e nisjes së aksionit. Deri më tani, si nga Policia, si nga SPAK, deklarata e vetme që është dhënë për ngjarjen që tronditi vendin është kjo e Hoxhës.
Aktualisht, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë ‘në duar’ për të hetuar masakrën e Dobraçit pasi Prokuroria e Shkodrës ka dyshime të forta se atentati është porositur, organizuar dhe finalizuar nga një grup kriminal. Në ngjarjen e ndodhur në 30 tetor, Hamza Lici humbi jetën në timon për shkak të një plumbi që mori në zemër, ndërsa makina e tij përplasi një motoçikletë me të cilin udhëtonin çifti Flutura dhe Bashkim Basha. 66-vjeçarja humbi jetën në vend nga përplasja, ndërsa i shoqi ndërroi jetë të dielën në spitalin e Shkodrës. Në mjet bashkë me Licin ishte dhe Arlind Bushati, i cili ndërroi jetë gjithashtu në spital disa orë pas ngjarjes për shkak se kishte marrë një plumb në kokë.
Pikërisht ky person, dyshohet se është Ibrahim Lici, një nga personat më të kërkuar nga Policia e Shtetit, i cili mendohet se ka qenë edhe shënjestra e atentatit. Por prezenca e personit të tretë në atentat ka ngjallur debate të tjera. Si pasojë, 4 punonjës të Policisë së Shtetit fillimisht u vendosën në pranga dhe më pas u lanë në detyrim paraqitje për shkak se akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën. Blerim Kurmekaj, Viktor Logu, Julian Sterkaj dhe Marte Martiki, ishin efektivët e parë që shkuan në vendin e ngjarjes por nuk e ndaluan personin e tretë që ndodhej në skenën e krimit duke i dhënë ndihmën e parë Hamza Licit, i cili kishte ndërruar jetë nga të shtënat me armë zjarri./korrieri