Një shqiptar ka mbetur i plagosur rëndë pasi është qëlluar me një plumb në kokë, gjatë një sherri në Menidi të Athinës.
Mediat e vendit fqinj bëjnë me dije se konflikti ka nisur të shtunën e kaluar, kur shqiptari me origjinë nga Fieri kishte shkuar në një festë.
Për shkaqe banale ai është konfliktuar me disa shtetas grekë, ndërsa një grek, pronar i një dyqani akulloresh ka ndërhyrë duke e qëlluar me grusht në fytyrë.
Ngjarja nuk është mbyllur këtu, pasi shqiptari është rikthyer për të marrë hak ditën e sotme dhe ka qëlluar në drejtim të grekëve me pistoletë duke plagosur njërin prej tyre në këmbë.
Por në momentin e largimit, shqiptari është penguar dhe i ka rënë nga dora pistoleta. Në këtë moment 35-vjeçari grek ka arritur të marrë armën dhe e ka qëlluar shqiptarin në kokë.
Të dy kanë përfunduar në spital, ku shqiptari ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Shqiptari nga Fieri kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu.