![](https://gazetakorrieri.com/wp-content/uploads/2024/12/artjan-marko-marko2-.jpg)
Akuza në STOP për mashtrim të punonjësve në Egjipt, Artjan Marko i Marko2 merr leje për kullë në Tiranë
Kullat edhe betoni vijon t’i marrë frymën Tiranës. Sëfundmi Këshilli Kombëtar i Territorit ka zbardhur njoftimin me lejet e miratuara për ndërtimet që pritet të bëhen në kryeqytet.
Qeveria ka dhënë miratimin për ngritjen e një numri të madh kullash gjatë viteve të fundit, për të cilat ka dyshime të forta në lidhje me burimin e financimit. Tashmë në Shqipëri po ndërtojnë kulla kompani me 100 mijë lekë kapital, siç është edhe rasti i Top Seven Tower 35 kate që do të ndërtohet nga kompania Top Seven e Erinda Lutajt.
Ndërkohë, mes kompanive që kanë marrë leje për kulla është edhe ajo “Marko 2” shpk, e cila sipas KKT do të ndërtojë objektin: “Godinë shërbimi dhe banimi me 20 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë”, me vendodhje në Rrugën “Musa Agolli”.
Korrieri mëson nga të dhënat e QKB se kompania është në pronësi të Artjan Markos me 90% të aksioneve dhe Odrina Markos, që ka 10%.
![](https://gazetakorrieri.com/wp-content/uploads/2024/12/Screenshot-2024-12-03-at-9.50.30 AM-1024x661.png)
Artjan Marko është bërë i njohur për publikun shqiptar disa vite më parë teksa u denoncua nga emisioni “Stop”. Sipas emisionit, Marko kishte dërguar disa punëtorë në Egjipt duke mos i paguar ndërkohë sipas tyre shumën e plotë të parave që kishin rënë dakord në fillim.
“Një grup qytetarësh kanë denoncuar në emisionin “Stop”, se janë mashtruar nga firma e ndërtimit “Marko 2” me pronar Artjan Marko, i cili i premtoi punësim në Egjipt.Ata firmosën një kontratë për pagesë mujore 2 500 dollarë dhe do akomodoheshin në një vilë 3-katëshe.Punojësit janë kthyer në atdhe e thonë, se firma u ka borxhe deri në 5 mijë dollarë, por askush nuk u përgjigjet në telefon.Sipas tyre, tani nuk u ka mbetur gjë tjetër, vecse të marrin sëpatat e t’i thonë burgut hapu..!”, shkruante në atë kohë emisioni “Stop” në faqen e TV Klan.
“Bëhet fjalë për një firmë ndërtimi me filial këtu në Tiranë, “Marko 2″, me pronar Artjan Marko dhe drejtor Ilir Polo. Kontrata premton se do të shkojmë në Kuvajt dhe Egjipt. Kemi firmosur një kontratë, akt-marrëveshje, në prani të një avokati. Kjo kontratë nuk na është dhënë asnjëherë, as kopje, as më vonë. Na është premtuar që do shkonim do të punonim në një kantier ndërtimi, fillimisht në Egjipt, pastaj mund të shkonim edhe në Kuvajt. Atje kanë marrë një shtëpi, një vilë 3 katëshe ku do akomodonin të gjithë ustallarët dhe punëtorët. Unë do të shkoja atje si inxhinier zbatimi. Pagat ishin goxha të majme, unë e kisha 2500 dollarë. Aty kemi qenë të detyruar të punojmë në kushte të këqija, lekët na i vonuan shumë. Kam punuar 4 muaj gjithsej atje, gjithsej kam marrë 5 mijë dollarë. Duke i kontaktuar vazhdimisht këta persona, na gënjejnë gjithnjë, na mashtrojnë, thonë këtë javë lekët, javës tjetër…”, tregon për mikrofonin e “Stop” një prej denoncuesve.
“Në Egjipt e regjistrova emrin për usta. Vajta më 29 Qershor, e deri sa e mbylli. Ka 3700 dollarë për të më dhënë”, tregon një tjetër.
“Në Egjipt unë kam punuar 3 muaj, në krye të 3 muajve unë nuk kam marrë asnjë lekë. Janë thjeshtë mashtrues. I jam drejtuar Stop-it për këtë problem”, shprehet denoncuesi tjetër. /korrieri