Të tjera detaje kanë dalë në dritë në lidhje me vrasjen e 50-vjeçarit Alfred Dedja në Ndroq të Tiranës.
Korrieri mëson se autori i dyshuar i vrasjes Julian Gjoshi është një emër i njohur për policinë, pasi është prangosur më parë për armëmbajtje pa leje.
Gjoshi ishte arrestuar më datë 18 janar 2021 për akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve dhe të municioneve” dhe “drejtim të mjetit në gjendje të dehur”. Bashkë me të në makinë në atë kohë ishte edhe një person tjetër.
Jo vetëm kaq, por Gjoshi rezulton se është kunati i Altin Hajrit, shpallur në kërkim për vrasjen e Jan Prengës në ambientet e një kompleksi në Shijak.
Gjoshi është kunati, për të cilin Hajri kërkoi ndihmë te ish-deputeti i PS-së Jurgis Çyrbja, për ta nxjerrë nga burgu, pasi u kap nga policia. Mes Çyrbjes dhe Altin Hajrit ka pasur një sërë bisedash në aplikacionin Sky, ku Hajri kërkon nga Çyrbja që ta ndihmojë për lirimin e kunatit. Në bisedat e zhvilluara, Altin Hajri i kërkon ndihmë Çyrbjes për lirimin apo ndryshimin e masës së sigurisë për një nga të arrestuarit kundrejt ofrimit të shumave monetare, duke sugjeruar që të ndryshohet personi që mbante armën pa leje, si dhe dëmtimin e gjilpërës së armës së zjarrit, përpara kryerjes së ekspertimit nga policia shkencore.
“Se kanë kap kunatin tim me pistoletë. Mos po bëjnë noj gjë. Është kunati me gjithë atë bolin që rrijnë aty tek unë. Të paktën të mbajnë një e të dalë një. Shih mos nxjerr njërin në arrest shtëpie. Sa lekë duan vetëm ta nxjerrim. Më fol direkt se duhet kap muhabeti tani. Se mos bëjnë provën. Japim 10 mijë euro vetëm të na e prishë atë pistoletën. Jepi 20 mijë euro, sa të dojë ai, vç ta mbarojë si punë. Shumë flm nderit dhe prej teje, të fala bëji edhe mikut tat, Olsit”, i ka shkruar Hajri-Çyrbjes.
Gjithashtu nga komunikimet që kanë zhvilluar dy protagonistët më 28 janar 2021, Altin Hajri i kërkon Jurgis Çyrbjes që të diskutonte me një lidhjen e tyre, rreth informacionit që kishte marrë se mund të arrestohej nga Policia e Tiranës. “…që t’i thotë drejtorit Tiranë, shif të foli pak e shok se kam informacion për atë drejtoria Tiranë që duan me më kap…”-i shkruan personi në kërkim Altin Hajri, zyrtaritë PS në Durrës, Jurgis Çyrbjes.
Më tej, duke folur në Sky Ecc, Altin Hajri i shkruan Jurgis Çyrbjes që të falënderojë personat që e ndihmuan për të mbyllur problemin e kunatit të tij Julian Gjoshi. Në komunikime dyshohet se një person që quhet “Olsi” ka dhënë ndihmë të çmuar për ta liruar Gjoshin nga burgu. Hajri dyshohet se në disa raste ka kërkuar ndihmën e Çyrbjes për të liruar nga burgu persona, që kishin shkelur ligjin./korrieri