Një YouTuber 22-vjeçar, Storm de Bull, i cili dikur jetonte në pyje dhe regjistronte përvojat e tij në kanalin që kishte në “Youtube”, vdiq tragjikisht gjatë një stuhie bore në Suedi. 22-vjeçari u gjet i vdekur në rajonin e Laponisë më 30 tetor. Sipas nënës së tij “këmbët e tij ishin të ngrira, por duart ende jo, pasi mbante të veshura doreza. Kur gjetën trupin, zbuluan se hunda e 22-vjeçarit ishte e thyer, çka lë të kuptohet se i riu mund të jetë rrëzuar.
“Ai duhet të ketë vuajtur për një kohë të gjatë dhe ka vdekur vetëm. Mendoj për momentet e tij të fundit dhe kjo më thyen zemrën,”-tha e ëma e tij.
Pak orë para se të niste stuhia e borës , 22-vjeçari thuhet se i ka dërguar një mesazh gjyshes së tij në të cilën i shkruante: Këtu po bie shumë borë. Por mos u shqetësoni, unë do të mbijetoj, ju e dini këtë.
Deri më tani nuk dihet arsyeja pse 22-vjeçari u largua nga streha e tij, ndërsa nëna e tij mendon se nuk kishte zgjidhje tjetër:
“Era po shkulte pemët atë natë. Çadra e tij mund të jetë shpërbërë dhe ai nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të fillonte të ecte. Por jashtë ishte -6 gradë Celsius”.
YouTuber- i i ri thuhet se arriti të lajmëronte autoritetet, duke thënë se ishte i lënduar dhe kishte nevojë për ndihmë, por moti i keq pengoi ekipet e shpëtimit të arrinin tek ai. Kur e gjetën, 22-vjeçari ishte larg çadrës dhe çanta e tij ishte bosh, brenda kishte vetëm furçën e dhëmbëve dhe çantën e gjumit. /korrieri