Dhëndri i Qefalinjve, Aleksandër Vasili i Al-Point merr leje për kullë 44 kate te “Treni” me 100 mijë lekë kapital, REKORDET negative të biznesmenit dhe të pathënat e Sun Moon Star
Martesa me vajzën e familjes Qefalia i kaprirë për mirë Aleksandër Vasilit, pronar i kompanisë “Al-Point”, i cili mban rekorde negative sa i përket masave të sekuestros ndaj kompanisë nga përmbaruesit për mos shlyerje të detyrimeve, por edhe për të ardhurat e vjelura nga arka e shtetit përmes tenderave dhe lejeve të ndërtimit, shkruan Gazeta Korrieri.
Këshilli Kombëtar i Territorit i drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka miratuar në mbledhjen e fundit një sërë lejesh ndërtimi për disa objekte me funksione të ndryshme, mes të cilave edhe kulla 44 kate te “Treni” e quahtur “Sun Moon Star” që do të ndërtohët pikërisht nga kompania “Al-Point” e Aleksandër Vasilit.
Kompania ka një kapital prej 100 000 lekësh, megjithatë KKT e ka parë të arsyeshme të japë një leje për ndërtim kulle 44 kate me vlerë disa milionë euro.
Dhëndri i Qefalinjve
Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) tregojnë se kompania ndërtuese “Al-Point” e Aleksandri Vasilit ka shënuar një lloj rekordi “unik” në llojin e vetë-në rreth 14 vjet ekzistencë të saj, ajo është vendosur plot 10 herë nën sekuestro nga përmbaruesit privatë, për detyrime të pashlyera ndaj palëve të treta.
Por, paralelisht me këtë rekord “negativ”, shoqëria private ka shënuar rekord “pozitiv” në përfitimin e të mirave publike dhe kjo, mesa duket, falë lidhjeve të duhura familjare e politike.
Aleksandri Vasili është dhëndër në familjen e Kujtim Qefalia, ish-kryetarit jetëgjatë dhe tashmë administratorit të Njësisë Administrative Dajt dhe deputetit socialist, Xhemal Qefalia.
Këto lidhje familjare duket se i kanë siguruar sipërmarrësit Vasili që të sigurojë një numër shumë të lartë kontratash me bashkinë e Tiranës, së drejtuar nga Erion Veliaj, si edhe nga lejet e firmosura prej kryeministrit Edi Rama.
Së fundmi, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), nën drejtimin e Ramës, ka miratuar “Leje Zhvillimi për objektin: “Sun Moon Star”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Al Point” sh.p.k”.
Për momentin, nuk ka shumë të dhëna për këtë objekt, por duket se është “dhurata” e radhës që pushteti i “Rilindjes” ndan për pinjollët e tij.
Vila pa leje
Policia e Tiranës dhe ekipet e IKMT-së zbarkuan në tetor 2023 në zonën e vilave të “Rolling Hills” dhe nisën prishjet e shtesave dhe vilave pa leje.
Korrieri raportoi në atë kohë se një ndër objektet për të cilat ishte marrë urdhër për të ndërhyrë, pasi rezulton se janë pa leje, ishin vilat në pronësi të shtetasve Edi Tomo dhe Aleksandër Vasili.
https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=476&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fb.taulant%2Fvideos%2F795930398887723%2F&show_text=false&width=476&t=0 Aleksandër Vasili është pronari dhe i kompanisë së ndërtimit “AL – POINT”, me 100% të aksioneve, dhe ka fituar një kontratë publike nga shteti në bashkëpunim me “Gjoka Konstruksion” sha. Vlera e këtij tenderi është mbi 4 miliardë lekë dhe është fituar në Bashkinë e Tiranës, me objekt rindërtimi i pallateve në zonën e “5 Majit” në kryeqytet.
Vasili dhe kompanitë e tij kanë qenë edhe në qendër të akuzave të opozitës.
Vite më parë, Belind Këlliçi ka denoncuar se tek zona e njohur si “Uzina e Traktorëve” në Tiranë po hapej një gropë pallati nga Aleksandër Vasili, dhëndri i Kujtim Qefalias dhe mbetjet i depozitonte në Dajt, në kundërshtim me ligjin.
“Si rregull, një firmë ndërtimi duhet t’i depozitojë dherat në vendin e përcaktuar nga Bashkia Tiranë kundrejt tarifës 10 mijë lekë të vjetra për ton, pra vetëm për një kamion duhet të paguajë tarifën 200 mije lekë të vjetra. Firma Al-Point shpk i depoziton ato, në kundërshtim me ligjin, në territorin e Nj.A Dajt, për të shmangur pagesat”, shkruante Këlliçi dy vite më parë. /korrieri