Zbërthehet skema e laboratorit të kokainës, çfarë rolesh kishin Artion Çaushllari , Aldi Zonja , Geis Fejsullai , Endi Sejdini etj
Me kalimin e kohëve dhe zgjerimit të aleancave, grupet kriminale shqiptare janë sofistikuar dhe këtë e tregojnë mjaft mirë me lëvizjet e fundit dhe ligjistikën që arrijnë të përdorin. Nëse deri më sot kishim dëgjuar që kokainë vinte përmes kontejnerëve me banane, metoda më klasike, aksioni më i fundit zbuloi se bashkëpunimi i shqiptarëve me kimistët latinë mund të bëjë që kokaina të transportohet edhe e fshehur në lëkurë gjedhi të kriposur.
Në Shqipëri përpunohej nga tre kimistët, Hiwlen Narvaez, Joze Vasquez dhe Samuel Serrano, duke e kthyer në gjendjen e saj fillestare për ta transportuar më pas në vendet e Bashkimit Europian.
Grupi i kishte ndarë shumë mirë rolet. Endi Sejdini, 25 vjeç kishte në pronësi vilën në Qerekë dhe një prej kateve të saj ishte përshtatur si laborator për përpunimin e kokainës. Qereka nuk ishte zgjedhur në mënyrë rastësore. Kjo zonë ndodhet mes aeroportit “Nënë Tereza” dhe Portit të Durrësit, që e bënte më të thjeshtë transportimin e materialeve, por gjithashtu, grupi i ka kushtuar rëndësi edhe një tjetër detaji, duke qenë se Qereka është shumë pranë aeroportit, është një zonë që nuk monitorohet dot me dronë nga autoritetet.
Në rezidencën në Kodrën e Diellit kishin gjithashtu një vilë që rezulton të jetë në emër të Geis Sejfullait, por nuk dihet ende nëse e kishte marrë me qira apo e kishte në pronësi. Në Mullet ishte gjithashtu një magazinë ku mbahej ngarkesa në momentin që vinte nga Amerika Latine.
Financues të grupit ishin dy: Aldi Zonja dhe Artion Çaushllari.
Zonja, kishte shkuar me vizë turistike në Amerikën Latine, por gjatë pandemisë mbeti atje i izoluar për shkak të karantinës. Gjatë kësaj periudhe, ai krijoi kontaktet me trafikantët e drogës dhe më pas me bashkëpunëtorët e tjerë ndërtuan laboratorin e kokainës. Ndërsa Çaushllari nuk është një emër i panjohur.
Ai ka qenë zyrtar në Bashkinë Tiranë dhe ka drejtuar Ndërmarrjen e Punëtorëve numër 3 në kryeqytet. Por, në vitin 2017, u largua bashkë me një sërë kolegësh të tij, që kishin dalë nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, (sot Partia e Lirisë).
Më 27 korrik të vitit 2017, një ditë pasi këshilltarët e LSI-së nuk morën pjesë në votimin për propozimin që rriste me 20 lekë për metër kub çmimin e ujit në kryeqytet, nisi një valë lëvizjesh në Bashkinë e Tiranës,
Vetë kryebashkiaku Erion Veliaj firmosi shkarkimin nga detyra të tre zyrtarëve të kësaj bashkie, të cilët vinin nga radhët e LSI. Kështu u largua nga detyra drejtori i Ndërmarrjes Numër 3 të kryeqytetit Artjon Çaushllari, që sot dnodhet pas hekurave.
Anëtarë të tjerë të grupit janë edhe Baki Huqi, Klajdi Birçe dhe Ismail Abdurrahmani. Të dhjetë personat, shtatë shqiptarë, një kolumbian dhe dy nga Venezuela janë vënë në pranga. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka bërë me dije se e kishte nën hetim grupin prej një viti. Në muajin shtator ata sollën ngarkesën e parë, por SPAK nuk ndërhyri deri në momentin që u fut në Shqipëri ngarkesa e dytë bashkë me tre kimistët. Në këtë çast, SPAK zhvilloi aksionin dhe i gjithë grupi ra në pranga. Në total u sekuestruan 48 ton (rreth 850 lëkurë gjedhi) lëndë narkotike e papërpunuar dhe e importuar nga Amerika Latine, 6.1 kg kokainë e pastër; dhjetra mijë euro dhe 22 telefona celularë, 2 laptopë dhe 17 karta SIM. Në këto të fundit, pritet që SPAK të grumbullojë edhe më shumë informacione për kontaktet e grupit. Detaje këto që bashkë me dëshmitë e të arrestuarve, mund të zbërthejnë një grup akoma më të madh kriminal.