Detaje të tjera kanë dalë nga arrestimi i 21-vjeçarit Anxhelo Llanaj , djali i ndërtuesit të njohur Sino Llanaj pak ditë më parë në zonën e stadiumit “Dinamo” në Tiranë, ku ai u kap me armë në brez pa leje.
Burime të Korrierit bëjnë me dije se ai ishte shpallur më herët për akuzën e armëmbajtjes pa leje, ndërkohë që mbrëmjen e arrestimit, policia kishte marrë informacione në rrugë operative se i riu gjendej në zonën e stadiumit “Dinamo”.
Burimë bëjnë me dije se menjëherë pas marrjes së informacionit, dy patrulla policie u afruan pranë vendit ku ishte raportuar se gjendej Anxhelo Llanaj duke kryer arrestimin e tij.
Anxhelo Llanaj është djali i biznesmenit me origjinë nga Vlora, Sino Llanaj, i cili ka qenë protagonist i disa ngjarjeve gjatë viteve të fundit.
Kush është Sino Llanaj dhe pse Anxhelo Llanaj shëtit me armë në brez
Llanaj është një biznesmen i njohur në fushën e ndërtimit, por edhe i denoncuar në disa raste në polici, për shkak të problemeve që ka pasur me pallatet dhe apartamentet që ka nxjerrë në shitje. Por u bë pjesë e kronikës në vitin 2021, kur u përplas me ortakun e tij Albert Allmuça. Dy ortakët u konfliktuan me njeri-tjetrin për mosmarrëveshjet që kishin për ndërtimin e një pallati në zonën e ish-Parkut në Tiranë, por përveç përplasjes me njëri-tjetrin, të dy përfunduan edhe në Polici më 14 janar.
SINO LLANAJ I LËNDUAR
Korrieri raportoi atëhere se sherri ka nisur pasi palët nuk kishin rënë dakord për punimet e një pallati; i cili do të ndahej me struktura 2,9 dhe 11 kate mbi tokë. Benzinën zjarrit ia kishte shkaktuar dhe shumë prej 3 milionë eurosh që Sino ia kishte borxh Allmuçës. Përveç përplasjes personale mes tyre vuajtën edhe banorët. Kjo pasi në nëntor, në shenjë revolte Allmuça rreshtoi kamionët në hyrjen e pallatit, e të gjithë ata që e kishin blerë banesën e tyre tek Sino, nuk futeshin dot brenda edhe pse paratë i kishin derdhur në bankë tek firma.
Çështja u bë e madhe, pasi banorët dolën në protestë para Bashkisë së Tiranës lidhur me rastin. /Korrieri