Pas skandalit të mbetjeve toksike , KURUM përfshihet në kontrabandë solari ? VIDEOT që pritet të shkaktojnë “tërmet” në Elbasan
Shoqëria koncesionare “KURUM”, e cila operon në ish-Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, dyshohet se kryen kontrabandë solari.
Një kamion me dy depozita plastike të vendosura në karroceri, kryen transportin e solarit për llogari të firmës turke.
Ky është një skandal i ri që prek këtë shoqëri, pas atyre të mbetjeve toksike, të cilët eksportohen drejt vendeve të tjera, mbetje të cilat u kapën në Singapor dhe erdhën në Shqipëri disa ditë më parë, ku u vendosën në zonën e Porto-Romanos me urdhër të Prokurorisë së Durrësit.
Videot e publikuara nga VoxNews kanë konfirmuar atë që flitet prej kohësh, që “KURUM” përdor lëndë djegëse për furrat ku shkrihet hekuri.
Madje, kjo lëndë përdoret gjatë natës për të prodhuar hekur, pa u vendosur asnjë filtër, duke sjellë një ndotje masive të të gjithë Elbasanit.
Shtëllungat e tymit, mëngjes për mëngjes, veçse konfirmojnë se “KURUM” nuk përdor asnjë filtër, por një lëndë të rëndë djegje, të cilën e merr në mënyrë kontrabandë nga një firmë që operon edhe ajo në brendësi të ish-Metalurgjikut.
Video: Kamioni me targa FR 6138 C ka kryer për një kohë të gjatë transportin e solarit nga fabrika e gomave drejt “KURUM”-it
Video e mësipërme është bërë disa muaj më parë në zonën e ish-Metalurgjikut në Elbasan. Mjeti është me targa FR 6138 C, mjet i cili ka edhe stemën e “KURUM Internacional” te xhami.
Mjeti drejtohet nga shoferi R.M, ndërsa targat janë false dhe nuk i përkasin këtij mjeti. “Mjeti ka shumë vjet që kryen transportin e solarit.
Mjeti dhe shoferi e kanë kryer këtë aktivitet për shumë vite. E sjellin solarin kontrabandë te ‘KURUM’, me paguar detyrimet apo edhe TVSH-në” ka shkruar një punëtor i KURUM-it në redaksinë e VoxNews.
Ai thotë se video e parë është bërë në afërsi të një fabrike që djeg goma, shumë afër “KURUM”-it, dhe të dyja depozitat mbajnë rreth 11 mijë litra. Pasi mbushet në këtë fabrikë, kamioni përdor disa rrugë jo të rrahuara dhe shkon në brendësi të shoqërisë koncesionare.
(Video e dytë ku kamioni futet te KURUM)
Video: Kamioni me solar duke u futur nga një derë sekondare e KURUM-it, afër vendit ku qendrojnë qentë endacakë
Në një video të dytë, të siguruar nga VoxNews, duket kamioni me targa FR 6138 C, duke u futur brenda “KURUM”-it nga një derë sekondare.
Kamioni është i ngarkuar dhe shkon brenda firmës, për të shkarkuar solarin.
Mjeti përdor portën në afërsi të vendit ku qendrojnë qentë endacakë, për ti shpëtuar syrit të kureshtarëve dhe për mos t’u filmuar nga kamerat e sigurisë së KURUM-it, që janë të pozicionuara vetëm në hyrje.
Ky është një skandal, i denoncuar nga punëtorët edhe në disa organe në Elbasan, por që nuk kanë marrë asnjë përgjigje.