Pasi bënë xhiron e botës, mbetjet toksike të Kurum më në fund janë ankoruar në portin e Durrësit! Në orën 7.00 të mëngjesit të sotëm, në portin e Durrësit është ankoruar anija turke “Moliva”, në bordin e të cilës mendohet se janë 2100 ton mbetje të dyshuara toksike të ndara në mbi 100 konteinerë.
ANIJA MOLIVA
Autoriteti Portual bëri me dije se për shkarkimin e anijes ishte rezervuar kalata numër 7, ndërsa procesi i shkarkimit zgjati rreth 3 orë.
Pasi u shkarkuan, konteinerët me mbetjet toksike të Kurum u transportuan me masa të rrepta sigurie, të shoqëruar dhe më pas të monitoruar nga Policia e Shtetit drejt zonës së Porto Romanos, pranë Parkut Ekologjik. Atje u vendosën në një vend ku do të mbahen të monitoruara 24 orë me kamera sigurie.
Përveç kamerave të sigurisë, edhe Policia e Shtetit do të mbajë nën monitorim mbetjet deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria e Durrësit. I gjithë, territori do të menaxhohet nga Agjencia e Pronave të Sekuestruara.
PAMJE NGA SHKARKIMI I KAMIONËVE:
Çdo procedurë regjistrohet në proces-verbal, konteinerët vetëm do të magazinohen, pra nuk do të hapen dhe nuk do të kryhet asnjë veprim tjetër deri në përfundim të hetimeve.
Teksa në Durrës kryhej shkarkimi dhe transportimi i kontejnerëve të sekuestruar nga prokuroria, Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro në mbledhjen e komisionit të Veprimtarisë Prodhuese tha se mostrat e analizave do të shkojnë në Belgjikë dhe Zvicër.
Por si erdhi sinjalizimi i anijeve me mbetjet toksike të KURUM ?
Sipas dokumenteve zyrtare të shqyrtuara nga AFP, kontejnerët ishin mbushur me materiale mbeturinash që ishin vendosur për t’u përpunuar dhe shkatërruar larg brigjeve të Evropës. Materiali i depozituar në 102 kontejnerët e kishte origjinën nga uzina e çelikut Kurum International në pronësi turke në Elbasan, Shqipëri. Mbetjet u blenë fillimisht nga kompania shqiptare Sokolaj, e cila më pas ia shiti materialin filialit të saj në Kroaci, GS Minerals, me ngarkesën që do të shkarkohej në Tajlandë për përpunim.
Sipas dokumenteve të parë nga AFP, Sokolaj i etiketoi mbetjet si “oksid hekuri” një substancë që nuk është e ndaluar për dërgesë ose që konsiderohet e rrezikshme. Një analizë e substancës në kontejnerë u krye nga një laborator kroat me bazë në Zagreb, sipas Sokolajt. Kur u kontaktua nga AFP, laboratori refuzoi të komentonte, duke thënë se “informacioni mund t’u jepet vetëm klientëve”. Vetë Sokolaj nuk i është përgjigjur pyetjeve se çfarë ka në kontejnerë. Kompania dhe filiali i saj kroat refuzuan të dyja kërkesat e AFP për koment.
Një sinjalizues kishte telefonuar rrjetin e Bazelit për të raportuar se kontejnerët mbanin jo vetëm oksid hekuri, por edhe mbetje toksike.
BAN (Rrjeti i Veprimit të Baselit) i kërkoi Maersk që të ndalonte anijet kur ato ishin pranë bregut të Afrikës së Jugut. Anijet nuk u përgjigjën dhe fikën transponderët e tyre ndërsa lundronin për në Singapor, sipas BAN. BAN më pas njoftoi autoritetet tajlandeze, të cilët refuzuan të lejonin hyrjen e kontejnerëve. Në fund të gushtit, 102 kontejnerët në bordin e dy anijeve u nisën për në Evropë dhe mbërritën në Shqipëri në fund të shtatorit, më ekzaktësisht më datë 28. Që nga dhënia e alarmit, në Shqipëri, prokurorët kanë hapur një hetim për incidentin në bashkëpunim me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe partnerët ndërkombëtarë. Tani Prokuroria e Durrësit, po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë. Po ashtu, nga hetuesit në Shqipëri janë marrë edhe mostra nga oxhakët e fabrikës “Kurum” për t’i krahasuar më pas me mostrat që do të merren nga konteinerët.