Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci është marrë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Ai po hetohet për shkelje të kryera gjatë detyrave të mëparshme, para se të zgjidhej kryebashkiaku i Shkodrës.
Mësohet se Becit disa ditë më parë iu komunikua se po hetohet për korrupsion gjatë kohës që ai ishte në krye të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ai e ka mbajtur këtë pozicion për një kohë të gjatë, deri sa ai kandidoi si kryebashkiaku i Shkodrës në radhët e Partisë Socialiste. Ai fitoi ndaj kundërshtarit të tij Bardh Spahia, duke shënuar fitoren e parë të një socialisti në bashkinë e Shkodrës. SPAK ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar se përse është marrë si i pandehur Beci. Gjithashtu, as Beci nuk ka komentuar se përse është nën hetim, por gjeti kohën që të përgënjeshtroi lajmet se ai ka dhënë dorëheqjen. Ai ka ironizuar lajmet pë dorëheqjen e tij.
“Nuk e di ku dreqin e kane marre vesh disa portale qe kam dhene doreheqjen se ishte sekret deri neser! Po tani qe doli po e them edhe arsyen: Neser zgjidhem une President i Amerikes me kerkese te dy kandidateve te tjere, meqe e tregova ne Shkoder se jam i pelqyeshem per te dy palet”, shkruan Beci.
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci u paraqit në SPAK më 1 nëntor, ku qëndroi atje rreth 30 minuta. Pasi doli nga ambientet e Prokurorisë ai tha të shohim, por nuk dha mbi motivin që e çoi në dyert e Prokurorisë së Posaçme. /korrieri