
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Hamburg, Gjermani, ku 33-vjeçari Dritan Lalaj, nga Frakulla e Fierit, i ka dhënë fund jetës. Dyshohet se vonesat në shlyerjen e rrogës nga pronari, ka qenë shkaku që i riu ka ndërmarrë këtë hap të rëndë për jetën.
Lajmin e hidhur, për humbjen të birit, babai i tij, Fitim Lalaj e mori nga media. I riu, dy javë më parë i kishte shkruar një letër kushëririt të tij, ku kishte thënë se do të kryente vetëvrasje. Më pas babai i tij komunikoi me të që të mos e ndërmerrte këtë hap të rëndë. Mes lotëve babai, rrëfen se foli për herë të parë me të birin tre ditë më parë, dhe Dritani i kishte premtuar se nuk do të tentonte vetëvrasje. I moshuari ka apeluar për ndihmë, pasi nuk ka para për të sjellë trupin e të birit në Shqipëri.
“Kam folur me të dhe më tha se bëjë më këtë veprim. Ai ishte ndihma më e madhe financiare, unë skam as pension asgjë. Kërkojmë ndihmë, Nuk kam pjesëtar të tjerë në familje, vetëm atë kisha”,tha ai.
Ndërkohë i afërmi Mezin Kacaku, ka thënë se për rikthimin e trupit duhen 25.000 euro. Shqiptarët që ndodhen në Hamburg janë solidarizuar që t’i mbledhin sa më shpejtë.
Dritani ishte djali i vetëm i familjes, ndërsa pesë vite më parë e ëma e ti ndërroi jetë. Babai i tij, është i sëmurë dhe pa të ardhura, pas humbjes së të birit ai mbetet i vetëm.