Nuk dihet se përse Hamza Lici po shkonte drejt Dobraçit, zonë ku banojnë kundërshtarët e përbetuar të familjes së tij…por diçka kërkonte! Në një mjet “Benz” me targa kroate ishte nisur nga Kirasi drejt zonës që e kishte të “ndaluar” të shkelte.
Nga persona që ende nuk janë identifikuar, ai është qëlluar me breshëri kallashnikov nga një mjet në lëvizje. Edhe pse kishte armë në makinë, Hamza Lici u kap në befasi dhe nuk pati mundësi të reagonte duke ndërruar jetë në vend.
Bashkëudhëtari i tij, Arlind Bushati vdiq disa orë më pas në spital. Duke qenë se Lici, shoferi i mjetit, kishte ndërruar jetë, humbi dhe kontrolllin e mjetit duke përplasur një motoçikletë me të cilën po udhëtonin çifti Flutura dhe Bashkim Basha.
Gruaja gjithashtu ndërroi jetë në vend nga impakti i përplasjes, ndërsa i shoqi është në spital, në gjendje të rëndë për jetën.
Në momentet e para të ngjarjes u fol për një përplasje me armë zjarri, por aktualisht kjo pistë është hedhur poshtë nga Policia e Shtetit, e cila ka konfirmuar se ishte një atentat dhe jo përplasje.
“Rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz, në lëvizje, me të cilin qarkullonin shtetasit H. L. dhe A. B.,”-bën me dije Policia në njoftimin zyrtar.
Ende nuk dihet arsyeja e këtij atentati ndaj Hamza Licit dhe Arlind Bushatit dhe aq më pak dihet për autorët. Pista kryesore është përplasja mes bandave në Shkodër, por autorë nuk ka. Madje nuk ka asnjë makinë të djegur të autorëve, siç jemi mësuar rëndom që të raportojmë nga ngjarje të ngjashme kriminale. Për të kapur autorët, në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA./Korrieri