Flutura dhe Bashkim Basha, 66 dhe 67 vjeç po ktheheshin për në banesën e tyre, me një motoçikletë pa e ditur se po shkonin drejt vdekjes së sigurisë.
Të dy ishin banorë të Drobaçit. Basha punonte paradite si marangoz dhe pasdite në tokën e familjes së tij, pasi kishin 3 fëmijë për të rritur. Por sot, rreth orës 15.00 të pasdites, motoçikleta e tyre u përplas nga një mjet tip “Benz”. Mjeti drejtohej nga Hamza Lici por ky i fundit kishte ndërruar jetë si pasojë e një atentati në hyrje të Dobraçit.
Me Licin e vdekur në timon, makina përplasi motoçikletën dhe si pasojë e përplasjes, humbi jetën në vend Flutura Basha, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në gjendje kritike në spital. Po ashtu, në spital ka vdekur edhe Arlind Bushati, i cili ka marrë një plumb në kokë.
Nga hetimet e Policisë, në vendin e ngjarjes janë sekuestruar 30 gëzhoja automatiku, ndërsa dy armë zjarri janë gjetur brenda një mjeti “Land Rover” të djegur. Autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me “Land Roverin”, e më pas me një mjet tjetër dyshohet se kanë ikur në drejtim të Malësisë së Madhe. Nga të dhënat e deritanishme mendohet se autorët janë 2-3 persona, por nuk përjashtohet mundësia që të kenë qenë edhe më shumë persona.