Kryeministri Rama ka anuluar takimin zyrtar me delegacionin e eurodeputetëve të Komitetit te Stabilizim Asociimit që po viziton Tiranën.
Në agjendën e ekipit të deputetëve europianë, pjesë e të cilëve është edhe Alfred Beleri, ishte parashikuar një takim me kreun e Qeverisë mëngjesin e sotëm në orën 10:00 por sipas mediave ky takim është anuluar një ditë më parë nga selia e Kryeministrit për shkak të impenjimeve të Ramës.
Një prej eurodeputetëve pohoi për gazetarët se gjithsesi Kryeministri kishte gjetur kohën për t’i shkuar herët në mëngjes në ambientet e hotelit ku po qëndron ky delegacion.
Mbetet e paqartë nëse në këtë takim informal ishin të gjithë eurodeputetët, përfshirë edhe Fredi Belerin. Vetë ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, tashmë pjesë e Parlamentit Europian, kur u pyet drejtpërdrejtë nga gazetarët, ngriti supet dhe nuk konfirmoi nëse ka shtrënguar duart me Ramën apo nëse ishte pjesë e takimit informal mes Kryeministrit dhe eurodeputetëve në hotel mëngjesin e sotëm.
Gjithashtu Kryeministria nuk konfirmon që të ketë pasur një takim mes Ramës dhe Belerit.
Beleri më pas, i është bashkuar me vonesë takimit me grupet parlamentare dhe në momentin që ka mbërritur në Kuvend, e ka gjetur derën të mbyllur. Ka qenë personeli ai që më pas i ka hapur derën duke e lejuar të jetë pjesë e takimit.
Por teksa i drejtohet Kuvendit, ai është përballur me akuza nga kalimtarë të rastit. Belerit i kujtohet nga një qytetar Fatmir Shehu, oficeri i vrarë në Masakrën e Peshkëpisë, si dhe roja Arsen Gjini, një ngjarje për të cilën ka qenë i akuzuar. Po kështu ai është përballur me fyerje dhe akuza.
“Si ndihesh që e ke…Fatmir Shehun atje, si ndihesh? Po Arsen Gjinin zoti Beleri? Turp! O rrugaç kush të futi ty deputet?”, dëgjohen qytetarët, teksa Beleri nuk ka reaguar por ka vijuar rrugën.