DOSJA/ Skandali UNIFI çifti Meta – Kryemadhi, si Marin Gjonaj “shiti” ortaken Anisa Skëndaj te SPAK: Unë s’di gjë, ajo merrej…
Prej dy ditësh, Gazeta Korrieri publikon detaje nga dosja e SPAK që lidhen me akuzat që çuan në arrestimin e Ilir Metës dhe masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për Monika Kryemadhin.
Siç raportuam edhe dje, një ndër akuzat kryesore që ngrihen ndaj Metës dhe Kryemadhit është ndikimi i paligjshëm për të futur në treg kompaninë UNIFI përmes Adrian Shatkut për të tranzituar thirrjet ndërkombëtare me kompaninë Vodafone.
Meta dhe Kryemadhi, me orientim nga Shatku fusin në lojë pikërisht Theodhori Çamin dhe Marin Gjonajn duke e përdorur njërin si sekser me drejtuesit e Vodafone dhe tjeterin si “sekser teknik” për të mundësuar dhjetëra mijëra euro të ardhura për veten e tyre sipas dosjes së SPAK.
Në dosjen që ka parë Korrieri është edhe dëshmia e Marin Gjonajt të Info Telecom, i cili disa vite më parë ofronte shërbimin e tranzitimit të thirrjeve ndërkombëtare për Vodafone duke mundësuar ndërkohë edhe aksesin e kompanisë UNIFI me rrjetin e Vodafone.
Gjonaj ka një rol kyç në këtë raport te UNIFI me Vodafone pasi sipas mesazheve të Shatkut dhe Kryemadhit, Info Telecom ishte kompania që bëntë lidhjen teknike.
Mirëpo, para SPAK, siç konstatohet nga dëshmia e dhënë prej tij, Marin Gjonaj nuk mban asnjë përgjegjësi në këtë marrëdhenie UNIFI-Info Telecom-Vodafone, nga e cila përfitonte çifti Meta-Kryemadhi.
I pyetur se në çfarë rrthenash ishte krijuar ky raport, Gjonaj ia hedh përgjegjësinë ortakes tjetër të kompanisë, biznesmenes së njohur, zonjës Anisa Skëndaj, e cila është vajza e biznesmenit të ndjerë Marsel Skëndo.
Gjonaj shprehet se lidhjet me kompanitë vëndase i mbante Anisa Skëndaj duke shmangur përgjegjësinë nga vetja duke theksuar se ajo mbante kontratat dhe financat.
Më konkretisht: Shtetasi Marin Gjonaj deklaron, se ne vitin 2014, ai merrej ekskluzivisht me marredheniet tregtare me operatoret nderkombëtare ne Evrope dhe nuk kishte dijeni se ne ç’mënyre e ka ndihmuar kompania Info Telecom, kompanine UNIFI. Sipas tij, marredheniet me kompanite vendase i mbante Anisa Skendaj e cila kontrollonte kontratat, i lidhte ato dhe menaxhonte financat.
Ndërkohë, në komunikimet e zbardhura nga SPAK, rezulton se Monika Kryemadhi dhe Adrian Shatku flasin pikërisht për Marin Gjonajn, shërbimet e tịj dhe rolin që kishte kompania Info Telecom në lidhjen teknike të UNIFI me kompaninë Vodafonë për tranzitimin ndërkombëtar të thirrjeve.
Dosja e Metë përfshin një numër të madh personazhesh, krahas Gjonajt dhe Shatkut dhe nesër vijojmë me publikimin e mesazheve të shkëmbyera mes personazheve të këtij episodi mes UNIFI-Info Telecom dhe Vodafone. /Korrieri