Mesditën e sotme, viktimat e kredive të këqija mund të kishin shkuar në 3 persona. Një grua, 58 vjeç, i ka vendosur flakën vetes me benzinë. Për fatin e saj të mirë, në sheshin “Liria” në Durrës kishte disa kalimtarë të rastit që ndërhynë menjëherë dhe shuan flakët, duke i shpëtuar kështu jetën. Por megjithatë, 58-vjeçarja nuk shpëtoi pa pasur disa plagë djegieje në këmbë.
“Ditën e sotme, në lagjen nr. 2, shtetasja F. G., 58 vjeçe, banuese në Durrës, ka tentuar të vetëdigjet me benzinë, në rrugë. Aktualisht ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit,“-bëri me dije Policia lidhur me ngjarjen. E ulur në një nga stolat e sheshit, ende e tronditur dhe me zërin që i dridhej, gruaja tentoi të shpjegonte se kishte vendosur që t’i jepte fund jetës për shkak se kishte probleme ekonomike dhe se fëmijët e kishin braktisur. Derisa në vendngjarje erdhi ambulanca dhe e shoqëroi për në spitalin e Durrësit, atje ku edhe po merr mjekimin e nevojshëm.
MOMENTI ME VIDEO-KUJDES PAMJE TË RËNDA:
Nga reanimacioni, ajo tregoi arsyen e vërtetë se përse kishte tentuar që t’i jepte fund jetës. Sipas saj, pak kohë më parë kishte marrë një kredi në një nga intitucionet financiare dhe tani po përballej me presionin për të paguar. Madje, sipas saj, kishte pasur edhe kërcënime se do të dërgohej në gjyq dhe do t’i mbanin paratë e pensionit për të larë borxhin që kishte marrë. Sipas së moshuarës, kredinë u detyrua ta merrte për të blerë ilaçet që kushtonin, pasi nga pensioni merr vetëm 90 mijë lekë të vjetra që nuk i dalin për asgjë. Edhe pse kishte kërkuar shumë herë ndihmë, të gjithë e kishin lënë në baltë, duke e detyruar që të ndërmerrte aktin e rëndë.
“Kam kërkuar ndihmë kudo, më bëjnë presion për një kredi, ka 6-7 muaj. Kam qenë e rregullt me pagesën muaj për muaj. Nuk kisha mundësi më, djali e kishte pagën e ulët. Më morën nga mikrokredia që ta paguaja, ose paguaje ose do të çojmë në gjykatë dhe të heqim pensionin. Po më detyroni të bëj një veprim që s’dua ta bëj, u thashë. Shkova një javë rresht te banka. Më mori një djalë i thashë s’kam mundësi ta paguaj, s’më intereson më tha. Kisha për të paguar 200 mijë lekë, për ilaçe e bukë më duheshin se bënin 250 mijë lekë ilaçet. Ndaj dogja veten, më thanë që më kanë çuar në gjykatë. 1 milion pata marrë. Këtu bashkia s’na jep asgjë, pse na përçmojnë ne? 90 mijë lekë pension, nuk na del, jam me qira. I kam 600 mijë lekë edhe pronarit. Jetoj vetëm me djalin. Punon djali, me 450 mijë lekë. Kam borxhe të tjera, qira, kredi. Edhe 2020, te bashkia s’më japin asnjë lloj drejtimi, ndaj mora kredi. S’kam bukë, s’kam ushqim, të më ndihmojnë me kredinë, për qiranë,”-tregoi ajo nga shtrati i spitalit.