Qeveria këtë vit ka ndarë veç rreth 7.8 miliardë lekë, ose rreth 78 milionë dollarë që do të jepen për pensionistët, ku përfshihet edhe fondi për bonusin apo shpërblimin, që ndahet me rastin e festave të fundvitit.
Konkretisht janë rreth 4.1 miliardë lekë që do të përdoren për indeksimin e pensioneve dhe 3.7 miliardë të tjera që do të shkojnë për bonusin e fundvitit. Kreu i qeverisë, Edi Rama në deklaratat e ditëve të fundit ka premtuar një bonus më të lartë nga vitet e kaluara.
“Duke filluar nga ky vit, bonusi i fundvitit për pensionistët do të jetë më i lartë se sa ai tradicionali. Ne kemi një ekonomi që mund të na e japë atë që duhet të marrim prej saj, për t’ua kaluar pensionistëve”, – deklaroi Rama.
Ende nuk është parcaktuar shuma e bonusit të fundvitit por ekspertët bëjnë me dije se do të jepen rreth 80 ose 100 mijë lekë shpërblim për çdo pensionist.