Një projekt me vlerë 3.7 milionë euro, i financuar tërësisht nga qeveria nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, pritet të kthehet në privat.
Brenda ndërtimit, të emërtuar “Tirana Art Garden”, në zonën e Petrelës, është parashikuar edhe një restorant luksoz.
Restoranti do të ndërtohet me para të ardhura nga taksat, ndërsa pritet që t’i kalojë individëve apo “të njohurëve” të Dritan Agollit, drejtorit ekzekutiv të FSHZH-së.
Ky i fundit, megjithëse është akuzuar për klientelizëm në disa tendera, ku i ka marrë edhe kuzhinieri që punonte te djali i tij, sërish vijon i qetë detyrën.
Madje, FSHZH-ja “konkurron” edhe vetë AKSHI-n për paratë e shpenzuara.
Faksimile: Shpallja e tenderit me vlerë 3.7 milionë euro për ndërtimin e projektit “Tirana Art Garden” në zonën e Petrelës, në periferi të Tiranës
Por, çfarë është “Tirana Art Garden”?
VoxNews shfletoi dokumentet e këtij tenderi, i hapur disa ditë më parë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Objekti i procedurës është “krijimi i parqeve tematike në funksion të evokimit të vlerave kulturore rajoni 2, parku tematik kulturor ‘Tirana Art Garden’”.
Vlera e tenderit është 370.958.536 lekë pa TVSH.
Ndërkohë që janë të ardhura nga “programi buxhetor për periudhën 2024-2026” dhe punimet pritet të zgjasin 18 muaj.
“Objekti propozohet të realizohet në Bashkinë Tiranë, në jug të qytetit, në fshatin Petrelë. Në ish-magazinat e Repartit Ushtarak, gjenden në Njësinë Administrative Petrelë, në fshatin Zarranik, pranë bregut të Lumit Erzen, në një terren të gjelbër me fare pak zhvillime të karakterit rural. Strukturat që gjenden brenda territorit të projektit janë struktura 1-katëshe, me hapësira të mëdha, të mbuluara me qemer, të cilat janë shumë të volitshme për mjedise ekspozimi dhe aktivitete të natyrës artistike, kulturore” thuhet në dokumentet e FSHZH-së.
Faksimile: Dokumentet shoqëruese të tenderit parashikojnë që projekti të ndërtohet në Petrelë, në një repart të braktisur.
“Vlerësohet e nevojshme që projekti i Parkut të Artit në Petrelë të shpalosë një vizion, i cili të shtrihet në godinat ekzistuese të zonës, të ndërthura me natyrën duke u frymëzuar nga historia, tradita dhe natyra. Hapësirat duhet të konceptohen për të ekspozuar dhe për të promovuar artin në shumë forma të tij. Kjo përfshin skulptura të mëdha, instalime interaktive, galeri të hapura, hapësira për performanca, dhe ku artistët mund të ushtrojnë profesionin e tyre” thuhet në këto dokumente.
Faksimile: Brenda parkut 3.7 milionë euro është parashikuar të ndërtohet një restorant luksoz me paratë e taksave
Në dokumentet e siguruara nga VoxNewsshkruhet se zona e marrë në shqyrtim do të ketë dy hyrje, një për publikun dhe një për artistët, personelin e parkut.
“Kjo pjesë do të përshtatet me funksionet e shpërndara brenda parkut, dhe do të konceptohet pozicionimi i tyre, në lidhje me zonën përreth”, shkruhet në këto dokumente.
Por, në letra është edhe plani i një restoranti lukzos, në zonë të gjelbëruar.
“Pergolata e restorantit definon një shesh të ri” është emërtesa e projektit. Më pas shkruajnë se “restoranti është një hapësirë e integruar me peizazhin përreth konceptuar si një eksperiencë dinamike brenda-jashtë”.
Nga ilustrimi, restoranti duket shumë luksoz, me ambiente brenda dhe jashtë.
Një ndërtim i ri, ku lum ai që do e marrë gati, të financuar dhe ndërtuar totalisht nga paratë e shqiptarëve të varfër. /voxnews