Dyshimet e artikuluara në publik së fundmi për ndërhyrje të paligjshme dhe rrjedhje të dhënash nga sistemi TIMS, regjistri i hyrje-daljeve në pikëkalimet kufitare të vendit, janë adresuar në Prokurorinë e Tiranës.
Kallëzimi për rastin në prokurori është bërë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, eksperti i IT-së Gent Progni ngre dy pyetje në lidhje me këtë rast.
Duke qenë se Eni Qirjako u dënua me 32 muaj shërbim prove dhe Andi Agaraj me 4 vite, Progni shkruan se kaq e lehtë është të vjedhësh serverat e tatimeve dhe të Policisë, pa pasur “frikën” e ndonjë institucioni.
Eksperti thekson rolin e Ervin Muçës, drejtorit të IT-së, për të cilin thotë se vazhdon i qetë pavarësisht skandalit.
Postimi i Gent Progni:
Pse AMP lajmëroi dje?
Në 29 mars këtë vit në media doli lajmi si Gjykata e Tiranës dënoi dy ish-zyrtarët IT të Drejtorisë së Tatimeve, Eni Qirjakon me Andi Agarajn, për shpërdorim detyre se nxorën të dhënat e pagave të 630 mijë shqiptareve nga databaza e “Sistemit Cats” të Tatimeve dhe i shitën.
Sa u dënuan pas dy vjet hetimesh?
Eni Qirjako me 32 muaj shërbim prove, Andi Agaraj me 4 vjet shërbim prove. Shefi i tyre, Ervin Muça, nuk u prek fare, as nuk u akuzua se, “s’dinte gjë”.
Ja sa e thjeshtë është me shpëtu pa u lag po vodhe serverat e Tatimeve, pastaj ato të Policisë së Shtetit kur ke drejtor Ervin Muçën. Nuk të gjen gjë, s’të prek shteti, as gjykata.
Nuk bën hiç burg, maksimumi ca shërbim prove me punë detyruese pastron Lanën.
Shërbimi i provës me Mbikëqyrje elektronike ka dalë nga loja, ka shtatë vjet që s’funksionon fare që kur tenderin për byzylykët elektronikë e fitoi “Soft & Solution” e Ermal Beqirit, shefit të Ervin Muçës.
Media dha alarmin në janar 2022 kur doli lista me paga që u shpërnda dhe u bë virale brenda ditës me Whatsap. Doli dhe lista me 900 mijë numra celulari dhe një me 530 mijë targa makinash.
Prokuroria dhe policia u ngrit në këmbë me konferenca shtypi, sepse opinioni publik u nxeh shumë nga kjo rrjedhje të dhënash.
Duhej një zgjidhje që të mos prekeshin autorët e vërtetë, Muça me shefat lart tij. U “kapën” dy autorët që nxorën listën e pagave të Tatimeve.
Ata pranuan fajin dhe u bënë bashkëpunëtorë të drejtësisë dhe me kaq skandali u mbyll. Shërbim prove 32 muaj për Qirjakon dhe 4 vjet shërbim prove për Agarajn.
Punonjësit e Tatimeve e dinin të vërtetën kur vinin hetuesit, por asnjë nuk foli. Nuk foli njeri pse dhe si ndodhi, por u mbajt versioni “u shitën” për 200 mijë lekë te dy tipa që i donin për punë biznesi kredie përmbarimi.
Eni Qirjako nga frika kur e arrestuan në fillim tregoi në polici të vërtetën: “Kam njoftuar drejtorin Ervin Muça se emri i userit nga i cili kanë dalë të dhënat mbante emrin Moza Seraj. Unë kërkova ndryshimin e userit me emrin Moza Seraj te shefi, por ndryshimi nuk u bë prej tij”.
Deklarimi i Eni Qirjakos e fuste në valle përgjegjësie Ervin Muçën, ndaj në gjykatë ajo ndryshoi deklarimet.
Kështu po kërkohet të përfundojë edhe vjedhja e TIMS-it nga banda e Mirlinda Karcanajt, që solli në polici Ervin Muçën drejtor IT-je.
Po përpiqen ta mbyllin me heshtje dhe zvarritje. Tre javë kaluan. Pas një viti a dy “hetime” do dali ndonjë viktimë të dënohet me shërbim prove.
AMP-ja e Ard Veliut erdhi me vrull në 4 gusht, pasi media dha alarmin e grabitjes së TIMS. Bllokoi dyert e Komisariatit nr. 3 në Tiranë, ku janë zyrat dhe serverat e policisë.
Në fillim u duk sikur po bëhej nami, sikur do arrestoheshin të gjithë që të dilte e vërteta, por u desh vetëm fundjava, 5-6 Gusht, që të “zbutej” Ard Veliu me gjithë Met Rrumbullakun.
Diku i thirrën të dy dhe i orientuan si do bënin. Kthyen për tre ditë në punë Ervin Muçën. Denoncuesit që ngritën alarmin e vjedhjes së TIMS u kërcënuan me jetë gjatë asaj fundjave dhe që atë ditë s’dihet ku janë fshehur.
**AMP e përcolli që me datë 10 gusht çështjen për në prokurori dhe jo dje më 22 si ia shitën medias sikur ishte lajm dite.
AMP e dërgoi “lajmin” nga halli i medias që e hapi përsëri këtë skandal kur mori vesh se Ervin Muça ishte akoma në polici edhe pse për skandalin foli dhe Ambasada (Amerikane) para ca ditësh.
Prokuroria s’ka filluar asnjë çështje ka dhjetë ditë. Në gusht janë pushim, s’ka short as prokuror që të merret me çështjen që percolli AMP e Ard Veliut.
Met Rrumbullaku “mori” lejen këtë periudhë që të mos ishte aty… Thashethemet thonë që e kërcënoi Mirlinda Karcanaj ta shkarkonte direkt po nuk i hoqi pezullimin Ervinit.
Ervin Muça vazhdon i qetë punën sikur s’ka ndodhur skandali. Duke qenë në zyrat e Policisë manipulon provat dhe punonjësit derisa të vijë shtatori, kismet do ketë ngjarje të tjera dhe do harrohet dhe kjo.
Do harrohet si u shkarkuan nga serverat e Policisë së Shtetit të dhënat e TIMS nga civilët me hardisk të jashtëm USB në xhep.
Ata u futën në Komisariat nga Ervin Muça, serbes-serbes, pa u ndaluar nga askush. Ata s’janë ndaluar, ose arrestuar më pas.
USB-ja që kopjoi të dhënat e TIMS-it s’dihet ku është tani, a është në Qipro, apo ndonjë kopje ka përfunduar në Dubai…