Detaje të reja janë zbuluar për plagosjen e dy vëllezërve në Ballsh, që shkuan me plagë thike në spital dhe aty gënjyen se kush i kishte qëlluar.
Zbardhet shkaku që çoi në konfliktin e tyre me fqinjin e moshuar, për të cilin policia zbuloi se ishte autori i plagosjes.
Burimet të Gazeta Korrieri thanë se autori i dyshuar është 76-vjeçari Agur Beqiraj i cili plagosi me mjet prerës (thikë) dy vëllezërit Elis dhe Juli Pashaj.
Sipas burimeve ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të shtune. Të njëjtat burime bënë me dije se familja e dy vëllezërve jeton në katin e parë të një pallati, në lagjen “28 Nëntori” të Ballshit, dhe familja e të moshurait një kat më lartë, në katin e dytë, sipër shtëpisë së dy të rinjve të cilët jetojnë me prindërit.
Burime konfidenciale thonë se 26-vjeçari Juli Pashaj është futur gjatë natës në banesën e të moshuarit i cili ka konstatuar të riun brenda shtëpisë. Zhurmat e përplasjes mes të moshuarit dhe 26-vjeçarit i dëgjoi nga kati i parë vëllai i këtij të fundit, i cili i shkoi në ndihmë vëllait të vogël.
I moshuri dyshohet se ka plagosur me thikë duke tentuar të vrasë dy të rinjtë, teksa ende nuk dihen me saktësi arsyet e futjes së të riut në banesën e 76-vjeçarit gjatë orëve të vona të natës.
Mësohet se 76-vjeçari jetonte me bashkëshorten e tij dhe me nusen e djalit së bashku me dy fëmijët e saj, pasi djalin e ka emigrant në Greqi.