Aktorja e njohur, Juli Emiri ka reaguar ashpër në lidhje me hedhjen e molotovit nga një efektiv policie në drejtim të babait të saj, i cili mbeti i dëmtuar rëndë.
Në një postim aktorja shkruan se babai i saj mund të kishte vdekur nga flakët.
“Babi mori flakë. Unë u sula t’ia shuaj, bashkë me protestues të tjerë. U dogja dhe unë. Pas disa minutash, ku godisnim me ç’të mundnim, flaka u shua”, shkruan Emiri.
Postimi i plotë i aktores:
Ky është babi im. Një nga flakëhedhëset që një protestues e hodhi në drejtim të bashkisë, një nga policët ia hodhi babit te këmbët. Babi mori flakë.
Unë u sula t’ia shuaj, bashkë me protestues të tjerë. U dogja dhe unë. Pas disa minutash, ku godisnim me ç’të mundnim, flaka u shua. Gjatë gjithë kësaj kohe, policët për asnjë çast nuk na hodhën ujin me të cilin shpërndanin protestuesit.
Babi mund të kishte vdekur sot.
Nga ata që lexojnë këtë status, ka një pjesë që u bëhet qejfi e thonë “mirë t’u bëhet/ç’u duhej të dilnin/vetë hodhën flakëhedhëse(jo babi)”, ka një pjesë që u vjen tmerrësisht keq jo thjesht për babin,por se kuptojnë diktaturën që po u riinstalohet para syve me vrasës gjakftohtë dhe u shtohet forca dhe motivi për ta mposhtur dhe një pjesë që u vjen keq por mendojnë “shyqyr që nuk isha/ja pse nuk duhet dalë në protestë se shiko ç’ndodh” pa e kuptuar sa shpejt do u vijë radha.
Kjo pjesa e fundit është ajo që ka mbajtur gjithnjë Shqipërinë zvarrë, të nënshtruar, të pushtuar, të skllavëruar, që sjell e risjell diktaturën në një formë apo në një tjetër, periodikisht. Historia përsëritet aq herë sa nuk zëmë mend!