Përplasje me policinë dhe kaos, kjo ishte panorama e protestës së opozitës këtë të hënë.
Mungesa e Sali Berishës, i cili ndodhet në arrest shtëpie, tregoi edhe njëherë se Partisë Demokratike i mungojnë skenarët dhe se kësaj here tubimi ishte i njëjtë me ato të herëve të kaluara.
Flamur Noka, sekretari i përgjithshëm i PD, dhe Gazment Bardhi, kreu i grupit të PD, dolën nga selia blu dhe marshuan drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Protesta e paralajmëruar në orën 18:00, nisi me vonesë, ndërsa një grup i mbështetësve priste para Kryeministrisë, ku dhe ishte lajmëruar nisja e protestës.
Nga ana tjetër, Ilir Meta marshoi nga selia e Partisë së Lirisë, por pa Monika Kryemadhin.
Por mungesa e skenarëve, dhe ideve në atë se si ishte planifikuar ky tubim, solli përplasjen e parë mes protestuesve dhe policisë.
Protestuesit hodhën lëndë piroteknike dhe molotov drejt godinës së qeverisë, ndërsa disa të tjerë gjuajtën me fishekzjarre.
Nga gjuajtjet mori flakë një pemë dekorative si dhe pjesa para Kryeministrisë. Zjarri u fik pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, kurse protestuesit në pamundësi për të çarë kordonin e uniformave blu marshuan drejt selisë së PS. Marshimi po i njëjtë me herët e kaluara.
Protestuesit me të mbërritur në shtëpinë e socialistëve dogjën një banderolë me portretin e kryeministrit Rama si dhe hodhën molotov.
Destinacioni i radhës ishte bashkia, ku bombave të molotovit policia iu përgjigj me gaz lotsjellës dhe spraj piperi, si dhe hodhi ujë për shpërndarë turmën.
Pa fjalime dhe në heshtje, demokratët nën drejtimin e krerëve të PD dhe deputetëve vijuan marshimin në rrugët e Tiranës. Ata u ndalën para Kuvendit ku policia pas tensioneve u hodhi gaz lotsjellës me qëllim shpërndarjen e turmës.
Pas disa minutash, protestuesit u larguan, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka tha se ky ishte vetëm hapi i parë i mosbindjes civile.
Nga tubimi u lënduan 10 policë, ndërsa kanë nisur dhe shoqërimet e para të protestuesve.