Përmbytjet në Vlorë kanë shkaktuar dëme të mëdha në banesa dhe biznese. Autoritetet janë në terren duke punuar për të riparuar problematikat e shkaktuara, por dëmet mund të arrijnë në shifra të larta.
Pronari i një farmacie, Fotaq Veneti tha se dëmi në biznesin e tij mund të arrijë deri në 100 mijë euro pasi janë dëmtuar produktet farmaceutike. Ai tha se mbeti i bllokuar në farmacinë e tij dhe kërkoi ndihmë për të dalë jashtë sepse uji arriti deri në 50 cm.
“Siç llogaritet është shkaktuar një dëm shumë i madh, nuk mund të them dot një vlerë fikse, por është diku mbi 100 milionë lekë të vjetra, apo duke nisur nga 100 mijë euro produkte farmaceutike. Duke nisur nga kimiket deri tek ato kozmetiket dhe me radhë. Qepeni u ul për të penguar ujin të hyjë, por mbetëm brenda dhe telefonuam për të na nxjerrë jashtë sepse situata arriti deri në 50 cm ujë. Qëndruam diku tek 2 orë brenda për të penguar ujin, por më pas nuk mund ta pengonim dot”, tha Veneti.
Një ditë më parë, situata në këtë qytet ishte alarmante për shkak të reshjeve të dendura të shiut, daljes jashtë kontrollit të kanalit të ujërave të larta dhe përmbytjeve në shumë lagje. Për shkak të prurjeve, 33 familje me 55 anëtarë u evakuuan nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në konfikt. Të tjerët kanë mbetur pa energji elektrike deri në largimin e ujit nga kabinat elektrike. Në Vlorë ka shkuar edhe Ushtria, e cila po punon puna në terren për pastrimin e kanaleve, të cilat janë mbushur për shkak të prurjeve të përrenjve. Por edhe Ministria e Mbrojtjes, njëjtë si Bashkia, njofton se situata po shkon drejt përmirësimit.