Përmbytjet gjatë 24 orëve të fundit kanë sjellë probleme të shumta në vendin tonë.
Situata më kritike paraqitet në qytetin e Vlorës, aty ku uji nga shirat ka vërshuar në katet e para të banesave dhe bizneseve.
Rrugë e lagje të tëra janë përmbytur teksa qindra makina janë mbuluar nga uji duke shkaktuar dëme ekonomike që mendohet të kapin vlera të larta.
Edhe efektivët e Forcave të Armatosura tashmë kanë zbritur me mjete të posaçme në terren. Krah atyre të emergjencave civile dhe zjarrfikësve, ata kanë bërë të mundur evakuimin e 33 familjeve në Vlorë.
Ndër ta, një çift farmacistësh janë evakuuar nga biznesi i tyre në qytet, pasi kishin mbetur të bllokuar prej disa orësh.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
Moti i keq i shoqëruar me intensitet reshjesh të pazakontë në disa zona të vendit ka shkaktuar problematika të ndryshme.
Në Vlorë, situata u rëndua si pasojë e prurjeve të mëdha, ndërsa problematika janë regjistruar në stacionet e pompimit. Në këto kushte, Agjencia e Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, pas thirrjes për mbështetje nga pushteti vendor, dhanë mbështetjen me 2 moto varka, 2 ekipe të pajisur me 2 motopompa, 8 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 30 forca ushtarake.
Gjithashtu, për t’i ardhur në ndihmë komunitetit pranë Bashkisë Vlorë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po koordinon dhe organizon strukturat operacionale ne nivel vendor dhe qendror, ku nga Forcat e Armatosura janë nisur edhe 6 forca e 2 mjete nga Reparti i Këmbësorisë së Jugut.
Mbetemi në monitorim të situatës gjatë orëve në vazhdim.