
Çfarë po ndodh në aeroportin e Vlorës, i cili u përurua politikisht para zgjedhjeve dhe pritet të fillojë funksionimin në verën e ardhshme? Kjo pyetje u shtrua që kur, javën e shkuar, në media u hap një lajm se klane brenda qeverisë po përpiqen tia rëmbejnë koncesionin milionerit Kosovar Behgjet Pacolli.
Artikulli i Kapitalit që u shpërnda ngado pretendonte se në 1 gusht ishte mbledhur me urgjencë, në Lugano të Zvicrës, asambleja e ortakëve të shoqërisë Mabco Construction, e cila zotëron 98 për qind të aksioneve të aeroportit të Vlorës dhe kishte marrë vendim që të mos lejojë asnjë shitje aksionesh në këtë koncesion. Kjo pandehmë u përforcua edhe më shumë pasi që në ditën e parë pas pushimeve, dolën pamjet se Rama bashkë me ministrat, kishte prtitur në takim edhe biznesmenin kosovar, që e konfirmoi vetë se takimi qe për aeroportin e Vlorës.
Personalisht Pacolli u prononcua më pas duke thënë se ky vendim i asamblesë së ortakëve nuk kishte lidhje me ndonjë presion qeveritar për ti rrëmbyer koncesionin e fituar në mënyrë okulte. Por menjëherë në shtyp u deklarua edhe ortaku i tij minoritar, që tregoi se kishte divergjenca të hapura me ish politikanin biznesmen, tw cilin e etiketoi si mashtrues.
Në fakt, në qarqet qeveritare ka një shqetësim se punimet nuk po ndjekin rritmin e duhur pikërisht për shkak të konfikteve të egove dhe financave, që kanë plasur mes dy parnerëve të koncesionit, Pacollit dhe kosovarit tjetër Valon Ademi.
Se ç’po ndodh mes tyre e spjegoi më pas, në një shkrim të vetin për Tema, Mero Baze, i cili bëri një historik të këtij koncesioni. Fillimisht – tregoi ai – “kanë qenë tre aksionerë: Mabco Construction me 58 për qind, YDA Group me 40 për qind dhe 2A Group në minorancë me 2 për qind.
YDA Group është përfshirë në koncesion për shkak të përvojës së saj për ndërtimin e aeroportit me 40 për qind të aksioneve, që të justifikohej konsorciumi si fitues.
Në fakt, ky ka qenë një pjesëtar fiktiv i koncesionit dhe menjëherë pas nisjes së punës ai është tërhequr realisht nga aksionet, duke u ndarë mes Mabco Construction të Pacollit dhe 2A Group të Ademit. Ndarja është bërë me dy kontrata noteriale. Fillimisht, YDA Group ia ka shitur aksionet MAPCO-s për 4200 euro formalisht dhe po në të njëjtën ditë Mabco me 2A Group kanë lidhur një kontratë të re për ndarje aksionesh mes tyre në raportin 53 për qind për Mabco dhe 47 për qind për 2A Group. Por këto kontrata nuk janë regjistruar në QKB.
Aksionet nuk janë bërë funksionale në QKB, për të shmangur debatet publike dhe për shkak të nevojës që për çdo ndërrim aksioneri duhet leja e qeverisë shqiptare. Për të mos rrezikuar reputacionin e tyre, ata nuk i kanë regjistruar këto aksione sipas kontratave”, ka shkruar Baze.
Pra, sipas këtij rrëfimi, sherri mes aksionerëve që po pengon përparimin e aeroportit po bëhet për mënyrën se si do ndahen aksionet e turqve që u futën në mënyrë fiktive sa për të justifikuar ndarjen e tenderit.
Por, në fakt, kjo është vetëm njëra anë e historisë. Sepse në një farë mënyre ka qenë qeveria Rama që e ka pranuar dhe nxitur këtë lojë me letra fallco që është përplasur sot tek aksionerët. Që në vitin 2017, Edi Rama planifikoi të jepte pa garë dhe pa tender tek një kompani turke këtë aeroport. Madje në parlament u depozitua një projektligj special “Për Përcaktimin e Procedurës së Veçantë për Negociimin dhe Lidhjen e Kontratës ndërmjet Shtetit Shqiptar dhe Shoqërive “Cengiz Construction & Kalyon & Colin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e aeroportit të qytetit të Vlorës”.
Për zbatimin e tij u caktuan të negocionin kontratën në janar 2018 ministrat Ahmetaj e Gjiknuri.
Me sa duket ligji special binte ndesh me direktivat e BE-së, mbi partneritetin publik privat. Dhe tatktika ndryshoi. Do bëhej një garë, por ajo do ishte fallco. Kështu u ra dakord me Behgjet Pacollin i cili do të merrte formalisht kompaninë turke YDA Group, e cila ishte e domosdoshme për të plotësuar kriterin e një parneri që kishte eksperiencë në menaxhimin e aeroporteve.
Por dredhitë nuk përfundojnë këtu. Në tenderin e shpallur në fund të 2020-ës kishte një varg shkeljesh. Fillimisht ishte kërkuar që të ndërtohej një aeroport për 10 milionë pasagjerë dhe me dy kulla kontrolli. Që fituesit të ishin ata që u shpallën katër ditë para garës, kapaciteti u zbrit në 2 milionë dhe kullat përfunduan në 1.
Për më tepër kompania tjetër konkurente AL-DE u skualifikua nga gara me justifikimin se nuk kishte dorëzuar dokumentacionin e plotë. Britanikët e AL-DE Corporation LTD e denoncuan garën e paregullt dhe për këtë çështje SPAK ka njoftuar se ka hapur hetim, për shpërdorim detyre, favorizim të palëve të caktuara dhe shkelje të pabarazisë në tendera.
Se sa farsë ishte e gjitha u pa edhe më vonë kur, ndonëse u shpallën fitues, turqit e YDA Group u tërhoqën menjëherë duke paguar në shumë qesharake për 40%-shin e tyre. Kur Edi Rama shkoi ta inaguronte veprën para zgjedhjeve ai nuk u çudit që aty ishin vetëm Pacolli dhe Valon Ademi dhe jo kompania që sipas ligjeve të këtij shteti ishte e vetmja që mund të kualifikohej për të fituar një aeroport. Pra edhe ai qe në brendi të lojës me sikur.
Qeveria dhe shteti e toleruan dhe e nxitën këtë fallcifikim, me një sërë manipulimesh paraprake dhe nëse sot dikush prej aksionerëve do të përfitojë nga ky zinxhir mashtrimesh, kjo nuk është punë vetëm e ndërgjegjies së tij. Duke i yshtur të hyjnë në një spirale paligjshmërie shteti i ka lejuar aksionerët, jo vetëm ti’a hedhin publikut, por të kërkojnë ta bëjnë këtë edhe ndaj njëri tjetrit. Prandaj sot nuk është shumë e rëndësishme nëse Pacolli do tia fusë Valon Ademit apo anasjelltas, por te historia e përsëritur e një qeverie, që në fund ia fut gjithmonë shqiptarëve.
/Lapsi.al