
Kristjan Zoto
Duke qenë se oborrtari kryesor i oligarkëve, Blendi Fevziu, ka ikur në Ande, Samiri paska thirrur palaçon e oborrit.
Prej ditësh, Ermal Mamaqi ka hapur një serial videosh nga resorti i Samir Manes në Palasë. Jo si turist i zakonshëm, por si zëdhënës i padeklaruar i Balfin, ku përpiqet t’i shesë publikut idenë se Mane është “njeri i paragjykuar padrejtësisht”.
Nëpërmjet batutave, skeçeve dhe “shoqërimit familjar”, ai përpiqet të na thotë se, ja, ky është një biznesmen i thjeshtë, një njeri normal, madje i keqkuptuar nga opinioni publik.
Mamaqi përpiqet të lëmojë imazhin e kryeoligarkut Samir Mane, por Samiri nuk është thjesht një sipërmarrës; ai është simboli i një ekonomie të kapur. Një njeri që ka ndërtuar perandorinë e tij mbi pasurimin e pabarabartë, mbi shfrytëzimin dhe mbi kontratat e qepura sipas porosisë në parlament.
Asnjë video qesharake e Ermalit nuk mund të fshijë hijet e minatorëve të vrarë në minierat e Manes dhe shkarkimin nga puna të minatorëve sindikalistë. Nuk mund të fshihet as zaptimi i tokave të fshatarëve të jugut dhe rrahja e banorëve të Dukatit për t’ua marrë ujin për pishinat luksoze. Ashtu siç nuk mund të groposet nën tapetin e heshtjes rasti i policit Azbi Spahiu, një ngjarje e zhdukur me kujdes nga mediat, por që endet si fantazmë në kujtesën e atyre që e dinë të vërtetën.
E gjithë kjo mbulohet nga një korrupsion i hollë, një rrjet ligjesh të bëra me porosi, ku politikanët, nga Edi Rama dhe Sali Berisha, e deri te Ilir Meta e Erion Veliaj, radhiten si kamarierë të bindur.
Problemi nuk është se njerëzit “e paragjykojnë” Samirin. Përkundrazi, problemi është se sistemi politik dhe mediatik kanë bërë çmos për ta paraqitur si shembull suksesi. Dhe Mamaqi, duke bërë video propagandistike në Palasë, e vesh Manen me një normalitet artificial, duke shpresuar që ndjekësit e tij do të harrojnë punëtorët e vrarë, fshatarët e përzënë, korrupsionin që ka blerë ligje dhe media.
Samir Mane është oligark dhe këtë nuk e zhbën dot asnjë video. Edhe nëse Mamaqi do të xhirojë qindra skeçe në Palasë, nuk do të mund të mbulojë dot atë që është thelbi: një njeri që ka privatizuar pasuritë e përbashkëta, i mbrojtur nga pushteti politik, i rrethuar nga një kastë mediash dhe figurash të kthyera në lavatriçe imazhi.