
Rezidencat Green Coast dhe Rolling Hills hinka të pastrimit të parave të mafias? Di gjë Samir Mane? Rasti i Kristian Konit (Olsi Meta) dhe Arben Ahmetajt, si u kanalizuan miliona euro CASH
Sekuestrimi i pasurive të biznesmenit Olsi Meta, i njohur edhe me identitetin Kristian Koni, ka rikthyer në vëmendje dyshimet e mëdha për përdorimin e rezidencave elitare në Shqipëri si instrumente të pastrimit të parave të krimit të organizuar.
Policia e Tiranës dhe Prokuroria njoftuan bllokimin e pasurive me vlerë 26.5 milionë euro, përfshirë 19 prona, 2 automjete luksoze dhe 20 llogari bankare, që dyshohet të jenë krijuar me para të ardhura nga trafiku i drogës në Itali.

Ajo që bie në sy është fakti se mes këtyre pasurive rezultojnë edhe vila në Green Coast Resort dhe Rolling Hills, dy nga projektet më të njohura të luksit në Shqipëri.
Në treg, çmimi i një vile në Green Coast varion nga 900 mijë deri në 1.5 milionë euro, shifra të ngjashme edhe për Rolling Hills. Sipas hetimeve, këto prona dyshohet të jenë blerë përmes metodave të pastrimit të parave, nga pagesa cash tek sistemi informal “hawala”.

Ky rast shton pyetje të forta mbi rolin e kompanive zhvilluese dhe bankave të nivelit të dytë në transaksionet miliona euro të personave të implikuar në krim ndërkombëtar:
- Si u realizuan pagesat për vilat mbi 1 milionë euro?
- A janë përdorur bankat shqiptare si kanal për transferimin e parave të pista?
- Çfarë kontrollesh zbatojnë zhvilluesit e projekteve të luksit mbi klientët e tyre?
Emri i Samir Manes, përmes Balfin Group dhe Green Coast, përmendet sërish në këtë kontekst. Kujtojmë se kompanitë e tij rezultojnë të implikuara edhe në aferën e vilave të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, ku punonjës të Green Coast, sipas dosjes së SPAK, kanë ndërhyrë duke manipuluar dokumente për të fshehur pronësinë e vërtetë të një vile në Palasë.

Ky kombinim rastesh, nga Koni te Ahmetaj, shton dyshimet se rezidencat elitare si Green Coast dhe Rolling Hills mund të jenë kthyer në “lavatriçe” të fuqishme për kapitalet e dyshimta, ku përfitojnë jo vetëm individë të botës së krimit, por edhe segmentë të lidhur me politikën.
Ekspertët ligjorë kërkojnë që SPAK të hapë hetime të reja për të verifikuar skemat e përdorura dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e aktorëve ekonomikë që lejojnë qarkullimin e parave të pista në tregun e pasurive të paluajtshme. /korrieri