
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Kaliforni, ku një adoleshent 16-vjeçar, Adam Raine, i dha fund jetës së tij. NBC News raporton se menjëherë pas kësaj tragjedie, prindërit e adoleshentit kanë ngritur një padi ndaj kompanisë OpenAI, duke pretenduar se platforma e inteligjencës artificiale, ChatGPT, ka luajtur një rol aktiv në vendimin fatal të djalit të tyre.
Pas vdekjes së Adamit, prindërit zbuluan se ai kishte zhvilluar dhjetëra biseda me ChatGPT-në, përfshirë diskutime të detajuara mbi mënyrat për të kryer vetëvrasje.
Adam e kishte përdorur ChatGPT-në fillimisht për ndihmë në mësime dhe për t’u përballur me vetminë. Por, sipas prindërve, bisedat morën një kthesë të rrezikshme, duke u fokusuar te temat depresive dhe vetëvrasja. ChatGPT, thuhet në padi, nuk ndërhyri dhe nuk ndaloi bisedën, edhe pse Adam shprehu qartë qëllimet e tij.
Familja Raine ka ngritur një padi në Gjykatën e Lartë të San Franciskos ndaj OpenAI dhe drejtuesit të saj, Sam Altman. Në dokumentet ligjore, ata pretendojnë se kompania dështoi të vendosë masa mbrojtëse efektive për përdoruesit e mitur dhe ofroi informacion potencialisht të rrezikshëm që ndikoi drejtpërdrejt në vendimin fatal të Adamit.
Në pak më shumë se gjashtë muaj përdorimi të ChatGPT, boti “e pozicionoi veten” si “i vetmi person i besuar që e kuptonte Adamin, duke zëvendësuar në mënyrë aktive marrëdhëniet e tij në jetën reale me familjen, miqtë dhe të dashurit”, thuhet në padinë e paraqitur në Gjykatën Supreme të Kalifornisë të martën.
“Kur Adami shkroi: ‘Dua ta lë litarin në dhomën time që dikush ta gjejë dhe të përpiqet të më ndalojë’, ChatGPT e nxiti atë t’i mbante mendimet e tij sekrete nga familja e tij: ‘Ju lutem mos e lini litarin jashtë… Le ta bëjmë këtë hapësirë vendin e parë që dikush do t’ju shohë vërtet’”, thuhet në padi.
Babai i tij, Matt Raine, tha: “Ai do të ishte ende me ne po të mos ishte për ChatGPT-në. Jam 100 për qind i bindur për këtë.”.
Sipas tij, platforma nuk i kishte ofruar asnjë ndihmë reale psikologjike dhe nuk e kishte orientuar drejt ndihmës profesionale, përkundrazi, kishte lehtësuar procesin.
Në një deklaratë për mediat, OpenAI tha se është thellësisht i tronditur nga ngjarja dhe shpreh keqardhje për humbjen tragjike. Kompania shton se ChatGPT përmban disa mekanizma sigurie, si sugjerimi për të kontaktuar linjat e ndihmës, por pranon se ato mund të mos jenë gjithmonë të mjaftueshme në raste të rënda emocionale.