
Kolegji Zgjedhor shqyrton sot kërkesën e Adriatik Lapajt për mandatin që koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” fitoi nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Por, duket se Lapaj ka ndryshuar mendje dhe tashmë nuk e kërkon mandatin për vete, por për kushërirën e tij Kleana Xhuveli. Mësohet se Lapaj ka kërkuar që të lihet në fuqi vendimi i KQZ-së që mandati t’i jepet Xhuveli, e cila ishte renditur e katërta në listën e mbyllur për qarkun e Tiranës. Po ashtu, Lapaj ka kërkuar rrëzimin e vendimit të KAS-it, i cili e kaloi te e para në listë, Ana Dajko.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), venosi më 30 korrik që mandati i vetëm i fituar nga Nisma Shqipëria Bëhet në qarkun e Tiranës, t’i kalonte të parës së listës së mbyllur, Ana Dajko. Sipas vendimit të KAS, çdo dorëheqje në bllok nga kandidimi apo mandati i kandidatëve në zgjedhje është nul dhe nuk mund të pranohet. Kështu, deputete nuk është më kushërira e Lapajt, Kleana Xhuveli, por Ana Dajko, e renditur e para në listën e Tiranës.
Ndërkohë, më 4 gusht, Adriatik Lapaj depozitoi një ankimim, duke kundërshtuar vendimin e KAS. Në ankimim, Lapaj kërkoi që të njihej si fitues me pretendimin se e ka fituar mandatin në zgjedhjet e 11 majit. Gjithashtu ai kërkoi edhe mosnjohjen si të vlefshme të revokimit të dorëheqjeve më 15 dhe 17 korrik nga Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit dhe nga Kleana Xhuveli.