
Motra e 36-vjeçares, Marjola Nakoleci, që u vra nga bashkëshorti i saj 40-vjeçar në Volos, ka zbuluar detaje tronditëse. Ajo foli për abuzimin që Marjola përjetoi në martesën e saj, dhunë fizike dhe seksuale. Sipas dëshmisë, 40 vjeçari e kishte përdhunuar për ta lënë shtatzënë, një mënyrë kjo për ta pasur nën kontroll.
“Ajo shkonte dhe bënte aborte shpesh”, tha ajo, duke theksuar se 40-vjeçari e kërcënoi se “nëse divorcohej prej tij, ai do të bënte më keq”.
Sipas saj, çifti u takua në moshë të re. Megjithatë, sjellja e burrit ndryshoi në mënyrë dramatike kur ata patën fëmijë. “Kur ai pati fëmijë, ai ndryshoi. Ai u bë abuziv, e rrihte”, tha motra e 36-vjeçares, duke folur për mediat greke.
Motra e viktimës zbuloi se familja e dinte për abuzimin, por nuk paraqiti ankesa tek autoritetet: “Për shumë vite nuk folëm dhe është faji ynë. Sepse i thoja motrës sime të divorcohej, por ajo kishte frikë. Bëra gjithçka që munda për ta ndihmuar, me para, por ajo nuk mundi të përballonte”, tha ajo.
“Ai u thoshte fëmijëve ‘qëndroni larg, mbylleni gojën’ dhe e rrihte para tyre”, shtoi motra e 36-vjeçares.
Ndërkohë, Pandeli Nakoleci ka dhënë dëshmi kontradiktore. Ai vazhdon ta fajësojë gruan për veprimet e tij, duke pretenduar se “ajo është fajtore sepse e provokoi”. Ndërsa duke folur me vajzën e tij të madhe, 40-vjeçari shqiptar u përpoq të justifikonte veten. Megjithatë, ndërsa nga njëra anë pretendonte se nuk donte ta vriste gruan e tij, nga ana tjetër, edhe pas arrestimit të tij ai vazhdoi ta pyeste vajzën e tij nëse nëna e saj po e tradhtonte. Diçka që tregon obsesionin që ai kishte me gruan fatkeqe. “E di çfarë bëra, e di gabimin tim, u ngatërrova dhe bëra atë që bëra. Nuk doja ta bëja. A e dije nëse nëna jote po më tradhtonte?” i tha ai vajzës së tij.
Pandeli Nakoleci u paraqit ditën e djeshme në gjykatë, i rrethuar nga policia dhe me kokën ulur para gazetarëve duke refuzuar të fliste. Ai u arrestua një ditë pas krimit të rëndë, vetëm 200 metra larg banesës ku ndodhi krimi i rëndë. Gjatë arrestimit ai iu drejtua oficerëve të policisë duke thënë: “Ia bëra mirë, e meritonte, nuk pendohem për asgjë, më tradhtonte”.
Ngjarja ndodhi në banesën ku jetonte familja, në prani të katër fëmijëve të çiftit. 36-vjeçarja vrapoi për t’u arratisur duke u larguar nga apartamenti në katin e parë në rrugën Konstanta, ku jeton familja. Ai e ndoqi poshtë shkallëve dhe në hyrje të pallatit e goditi përsëri. Pastaj, gruaja ra mbi xham dhe autori, duke e parë të mbuluar me gjak në dysheme, iku me vrap.