
Planet për një takim dypalësh midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky janë tani “në proces”, tha të martën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt.
Ajo tha se janë duke u shqyrtuar “shumë opsione” për realizimin e këtij takimi, por refuzoi të japë detaje mbi vendndodhjen e mundshme. Sipas mediave amerikane, takimi mund të zhvillohet në Budapest.
“Të dy udhëheqësit kanë shprehur gatishmërinë për t’u ulur me njëri-tjetrin, kështu që ekipi ynë i sigurisë kombëtare do t’i ndihmojë të dy vendet ta bëjnë këtë”,u tha Leavitt gazetarëve në konferencën e shtypit në Shtëpinë e Bardhë.
E pyetur nga CNN- se si ndryshuan planet – nga një takim i mundshëm trepalësh në një takim të parë dypalësh – Leavitt tha se “ishte një ide që evoluoi gjatë bisedave të presidentit me Presidentin Putin, Presidentin Zelensky dhe udhëheqësit evropianë”, të cilët, tha ajo, “të gjithë bien dakord se ky është një hap i parë i shkëlqyer”.
Trump, shtoi ajo, është “dakord” me idenë e një takimi dypalësh pa praninë e SHBA-së.
“Në fund të fundit, presidenti gjithmonë ka thënë se ka fusha mosmarrëveshjesh në këtë luftë që do të duhet të diskutohen dhe të vendosen nga këto dy vende. Dhe kështu, ai dëshiron që këto dy vende të angazhohen në diplomaci të drejtpërdrejtë”,tha ajo.