
Një 33-vjeçar është vrarë me thikë në Divjakë. Viktima është identifikuar si Besmir Kumria ndërsa autori Xhesion Toromeni.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur pas një konflikti në një lokal në fshatin Kryekuq mbrëmjen e së martës.
Ngjarja ndodhi në ambientet e jashtme të një kafeneje. Sipas informacioneve paraprake, autori ka mbërritur me makinë, është futur me thikë në dorë drejt tavolinës ku po qëndronte viktima së bashku me persona të tjerë, dhe e ka goditur menjëherë duke e lënë të vdekur në vend.
Burime nga policia thonë se dëshmitarët kanë deklaruar se nuk e njohin autorin, i cili veproi pa maskë, por ngjarja nuk është fiksuar as nga kamera sigurie pasi asnjë prej tre lokaleve pranë vendngjarjes nuk ka të instaluara.
Kumria punonte në Himarë dhe kishte ardhur në vendlindje për të përcjellë bashkëshorten e tij, e cila ishte nisur për në Gjermani ku kishte gjetur punë si infermiere. Trupi i viktimës ndodhet në morgun e Lushnjes.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi Xh. T. e ka vrarë shtetasin B. K., pasi familjet e tyre kanë pasur konflikte të vazhdueshme për një kanal vaditës në fshat.
Njoftimi i Policisë
Goditi me thikë një shtetas, i cili për pasojë humbi jetën; pas veprimeve të shpejta dhe profesionale të Policisë u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar.
Pas vrasjes, autori u largua, por u kap pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet operacionale të DVP Fier.
Gjatë mesnatës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Kryekuq një shtetas i paidentifikuar kishte hyrë në një lokal dhe kishte goditur me mjet prerës shtetasin B. K., 32 vjeç (i cili ishte në shoqërinë e miqve të tij), shkuan menjëherë në adresën e dhënë.
U ngrit grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i ndjekjes së pandërprerë nga forcat operacionale të DVP Fier, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në Polici i autorit të dyshuar, shtetasit Xh. T., 25 vjeç, banues në Kryekuq, i cili do të arrestohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi Xh. T. e ka vrarë shtetasin B. K., pasi familjet e tyre kanë pasur konflikte të vazhdueshme për një kanal vaditës në fshat.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.