
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në qendër të Tiranës, ku u raportua zhdukja në rrethana ende të paqarta e ish-zëvendësdrejtorit të Agjencisë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI), Daniel Shima.
Familjarët e Shimës kanë bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë nr. 1, duke deklaruar se kanë humbur kontaktet me të. Sipas tyre, para se të zhdukej, Shima u ka dërguar një mesazh të afërmve ku shkruante se “po e arrestonin”. Pas këtij momenti, komunikimi me të është ndërprerë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se policia ka nisur sekuestrimin e kamerave të sigurisë në zonën ku dyshohet se ndodhej Shima, për të rindërtuar lëvizjet e tij të fundit. Media “Zëri” raporton se uniformat blu po hetojnë dy pista kryesore: pengmarrjen ose një inskenim të mundshëm të zhdukjes.
Ndërkohë, në reagimin zyrtar, Policia e Tiranës konfirmoi kallëzimin dhe theksoi se po punon për zbardhjen e rrethanave:
“Më datë 20.08.2025, rreth orës 17:00, në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasja M. Sh., e cila ka kallëzuar se ditën e sotme ka humbur kontaktet me djalin e saj, shtetasin D. Sh., 34 vjeç. Shërbimet e Policisë po punojnë për sqarimin e rrethanave të rastit dhe për gjetjen e tij”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Daniel Shima ka mbajtur për disa vite postin e numrit dy në AKSHI, pas drejtoreshës Mirlinda Karçanaj. Ai u shkarkua në mars 2024, ditën kur Karçanaj u thirr për disa orë në SPAK dhe pas rikthimit firmosi largimin e tij nga detyra.
Gjatë kohës në detyrë, ndaj Shimes janë ngritur akuza publike për abuzime me tenderat e AKSHI-t. Një vit më parë, ai raportohej se ishte marrë nën mbrojtje nga Garda e Republikës, pas një vlerësimi se i rrezikohej jeta, ndonëse kjo nuk u konfirmua kurrë zyrtarisht.
Çështja e tij ka qenë pjesë e debateve publike edhe pas deklaratave të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili pohoi se Shima ishte kërcënuar që të heshtte për tenderat e AKSHI-t.
Zhdukja e sotme e Daniel Shimes e rikthen në qendër të vëmendjes skandalin e tenderave me vlera miliardëshe të zhvilluar në AKSHI dhe prapaskenat e këtij institucioni strategjik që menaxhon sistemet shtetërore të teknologjisë dhe informacionit. Hetimet pritet të hedhin dritë mbi shkaqet e kësaj ngjarjeje që ka tronditur opinionin publik./korrieri